Kryeministri Edi Rama, Presidenti i Këshillit Europian Charles Michel dhe Presidentja e Komisionit Europian Ursula Von der Leyen ndodhen në një konferencë për mediat ku po flasin për punimet e Samitit të BE-së në Tiranë. Kreu i qeverisë, gjatë fjalës së tij, dha një lajm të mirë për studentët, të cilët do të kenë mundësi të studiojnë online në universitetet evropiane.
Kreu i qeverisë shtoi se kjo është hera e parë që merret një vendim i tillë për një shtet joanëtar i BE-së.
“Dua t’u them studentëve se nga ky samit ne vijmë me një lajm të shkëlqyer që jo vetëm universitetet tona do të jenë në gjendje të angazhohen me Erasmus Plus por do të përfshihen në aleancën e arsimit të lartë në Evropë. Nga një moment i caktuar, pasi të jenë përfunduar të gjitha procedurat studentët tanë, fëmijët tanë mund të studiojnë prej këtej në çdo universitet evropian në mënyrë dixhitale. Universitetet tona mund të lidhin aleanca dhe të rriten së bashku me universitetet evropiane. Kjo është diçka që ishte e mundur vetëm po të ishte anëtar. Edhe “rrugët e gjelbra” me Kroacinë apo me vend tjetër është gjë e re. Tjetër gjë fantastike që diskutuam dhe morëm mbështetjen plotë të udhëheqësve për të pasur në Tiranë kampusin e Kolegjit të Evropës në Bruzh. Një universitet me reputacion mjaft të lartë. Është koha që këtë kampus ta ngremë në Tiranë. Jo më pak është marrëveshja për Roaming, Qytetarët tanë do të kenë tarifa më të ulëta”, tha kreu i qeverisë.