Kreu i Partisë së Lirisë Ilir Meta, tha mbrëmjen e sotme në një konferencë me gazetarët, se kryeministri Edi Rama do të marrë përgjigjen e merituar nga populli.
I pyetur sesi do të ndikojë për imazhin e Shqipërisë incidenti i rëndë i ndodhur sot në protestë ku kreu i PD Sali Berisha u godit me grusht nga një person dhe u pasqyrua në mediat ndërkombëtare, Meta tha se nuk ka çfarë të ndikojë më shumë sesa ato “gomonet që nisen drejt Anglisë”, ndërsa shton se protestat nuk do të ndalen.
“Nuk ka ca të ndikojë më shumë në imazhin e Shqipërisë, mjaftojnë ato gomonet pafund drejt Anglisë.
Nuk frikëson asnjeri Edi Rama, përkundrazi nga sot ka mobilizuar edhe ata që deri dje kanë qenë indiferent, që nuk kanë menduar që skizofrenia e këtij personi mund të arrijë në të tilla nivele.
Sot shqiptarët janë më të bashkuar dhe më të ndërgjegjshëm për këtë rrezik që rrezikon jo vetëm të ardhmen e vendit, por edhe familjet. Unë jam i sigurt që ai do të marrë përgjigjen e merituar që me ngulm po e kërkon me ngulmim skizofrenik”, u shpreh Meta.