Prokurori Anton Martini përpara Kolegjit të Apelit: Jam martuar me shtëpi me qira

Ditën e djeshme Prokurori Anton Martini, u paraqit përballë Kolegjit të Posaçëm të Apelit i shoqëruar nga avokati tij, Julian Mërtiti.

Komisioneri Publik, Florian Ballhysa,  u qëndroi shkaqeve të parashtruara në ankim dhe kërkoi shkarkimin e Martinit pas rivlerësimit të kritereve. Kujotjmë se Martini kaloi procesin e rivlerësimit në prill 2020, por Komisioneri Publik ka kërkuar shkarkimin e tij në KPA mbi kriterin e pasurisë dhe atë të profesionalizmit, kjo e fundit e lidhur me periudhën kur ai ishte drejtues i Prokurorisë së Rrethit Shkodër.

Pasuria e prokurorit të Tiranës, Anton Martini, ka qenë në qendër të diskutimeve në seancën e radhës në KPA. Komisioneri publik ka ngritur pikëpyetje  mbi blerjen në vitin 2015 të një apartamenti 97 m katrorë me vlerë 90 mijë euro.

Martini në lidhje me këtë çështje është shprehur se: “Për shtëpinë u kam 102 milionë lekë borxh bankave”, dhe shtoi se vëllezërit kishin dërguar vite më parë shuma të konsiderueshme në llogarinë e tij bankare të cilat ishin përdorur prej të atit për ndërtimin e një shtëpie. “Por, asnjëherë nuk e kam përdorur këtë fakt për deklaruar se ato dërgesa ishin për llogarinë time. Jam martuar me shtëpi me qira dhe i linda e rrita fëmijët e mi në shtëpi me qira”, pohoi Martini dhe kërkoi që konfirmimi në detyrë të lihej në fuqi.

Sipas Ballhysës, Komisioni ka gabuar në konsiderimin në analizën financiare të kësaj vlere, të dhurimeve nga vëllezërit që jetojnë jashtë shtetit dhe shtesat nga pagat. “Duhet të konsiderohen vetëm ato që janë deklaruar periodikisht”, theksoi Ballhysa dhe shtoi se subjekti nuk kishte deklaruar asnjëherë pakësimet e kursimeve, si dhe nuk kishte arritur të provonte mundësinë e vëllait që jeton në Mbretërinë e Bashkuar për kursimin e vlerës së dhuruar.

Gjithashtu Komisioneri Publik deklaroi se prokurori Martini rezultonte me balancë negative në shumën 1.9 milionë për periudhën 2003-2017. Duke analizuar ligjshmërinë e burimeve të deklaruara për blerjen e apartamentit, Ballhysa pohoi se një pjesë e kredisë së butë e tërhequr në vitin 2007 nuk është deklaruar periodikisht si gjendje cash dhe për pasojë nuk mund të konsiderohet si burim i ligjshëm.

Edhe pagesa për banesën ka hasur në probleme, pasi në kontratë thuhet se shuma është e shlyer e plotë, por se faktikisht me fatura janë dhe 5 mijë euro detyrime të mbetura. Për këtë çështje Martini ka kundërshtuar duke e konsideruar një gabim të noteres kur është lidhur kontrata e shit/blerjes.

Avokati i tij argumentoi se në deklarimin e pasurisë mund të ketë pasur gabime pasi një pjesë e kredisë është përdorur për blerje të bonove të thesarit dhe logjikisht pjesa tjetër ka mbetur e papërdorur.

Përplasje në seancë ka pasur dhe sa i përket verifikimit profesional e për këtë ka shërbyer denoncimi i një gazetari për mbylljen e hetimeve kur ai u kërcënuar. Por përfaqësuesi ligjor i prokurorit u shpreh se dosja u mbyll pas i interesuari nuk kishte dhënë deklarime dhe se në atë kohë çështja do të përdorej për të kërkuar azil politik pasi  denoncuesi ishte larguar jashtë shtetit.

Edhe rastin e denoncimit për marrjen e dosjeve pa short në Shkodër, prokurori e ka konsideruar të padrejtë, duke thënë se një pjesë e mirë e tyre janë ndarë manualisht për shkak se nuk funksiononte pajisja elektronike.

Share This Article
Leave a comment

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *