Gazeta më e madhe britanike, Daily Mail, shkruan se lideri i opozitës shqiptare u sulmua sot teksa po zhvillohej një protestë antiqeveritare në Tiranë. Gazeta thekson se Berisha po marshonte drejt vendit ku po mbahej tubimi, kur u godit nga një 31-vjeçar. Sipas saj, agresori ka precedentë për dhunë dhe trafik droge.
“Mijëra mbështetës të opozitës u mblodhën në Tiranë teksa Shqipëria mbante samitin e parë mes Bashkimit Europian dhe Ballkanit perëndimor, për të protestuar kundër qeverisë së kryeministrit Edi Rama dhe për të kërkuar zgjedhje të parakohshme”, shkruan gazeta.
Sipas saj, opozita po protestonte ndaj kryeministrit Edi Rama, të cilin e akuzon për korrupsion, por edhe për kostot e larta të jetesës në vend.
Gazeta britanike thekson sidomos se opozita po protestonte kundër eksodit masiv të rinisë, e cila po braktis vendin.
Kujtojmë se Britania e Madhe po përballet me fluksin e jashtëzakonshëm të emigrantëve shqiptarë. Mbi 12 mijë shqiptarë kanë mbërritur vetëm sivjet përmes varkave të vogla në Angli.