Ujësjellësit, asetet fikse 16 mijë lekë për banor, kostot e amortizimit në rritje

Rrjeti i ujësjellës kanalizimeve në vend daton me dekada dhe kostot e amortizimit të tij gjithmonë në rritje janë një nga kërcënimet kyçe për buxhetet anemikë të shoqërive të ujësjellës-kanalizimeve.

Ministria e Infrastrukturës dhe Energjisë pranon se kjo kosto do të vijë në rritje në kushtet kur infrastruktura do të rritet dhe zgjerohet.

“Infrastruktura aktuale në sektorin e ujit është mjaft e amortizuar si rezultat i mungesës se mirëmbajtje se duhur. Shumica e rrjetit shpërndarës të shoqërive UK daton i ndërtuara para 60 vitesh dhe si rezultat, vlera e tij aktuale është shumë më e ulët sesa kostoja e zëvendësimit. Për shërbimet e ujësjellësit, asetet fikse për banorë variojnë nga 0 në 157,000 lekë/banorë me një mesatare prej 16,000 lekë/banorë, ndërsa mesatarja e ujërave të ndotura është shumë më e ulët me 13,000 lekë/banorë dhe shkon nga 0 deri në 359,000 lekë/banor. Kjo do të thotë që kostot e amortizimit dhe kostot e mirëmbajtjes (llogaritur si pjesë e vlerës së aseteve) do të rriten me kalimin e kohës kur infrastruktura e vjetër ekzistuese do të zëvendësohet dhe zgjerohet, duke përkeqësuar mbulimin e kostove operacionale për shërbimet UK”, thuhet në strategjinë disavjeçare publikuar për konsultim lidhur me sektorin.

I njëjti dokument tregon se niveli i investimeve për periudhën 2007-2019 ka qenë në një mesatare vjetore prej 8.68 miliardë lekë, të ndarë pothuajse në mënyrë relativisht të barabartë midis furnizimit me ujë dhe infrastrukturës së ujërave të ndotura ne vite te veçanta.

“Niveli i investimeve varion nga 5.3 në 13.04 miliardë lekë në vit. Në vitin 2015 dhe 2016, niveli i investimeve u rrit respektivisht në 11.2 dhe 13.04 miliardë lekë. Me gjithë nivelin e larte të investimeve të realizuara në vite të veçanta përsëri mbeten larg plotësimit të nevojave për investime kapitale të projektuara në strategjinë kombëtare 2011-2017 (grafiku më poshtë).Viti 2019 shënon një trend në rritje të investimeve kapitale ku norma e investimeve nga buxheti I shtetit qëndron thuajse në nivele të njëjta me investimet e huaja”, nënvizon strategjia.

Dokumenti analizon se të ardhurat e ndërmarrjeve janë në 46%të totalit nga tarifat, 32% nga buxheti i shtetit dhe 22% nga transfertat. Ndërkohë që në shpenzime kostot e amortizimit cilësohen si të nënvlerësuara./Monitor

Share This Article
Leave a comment

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *