Ditën e sotme në të cilën është dita e luftës kundër Korrupsionit, deputetja e Partisë Demokratike dhe njëkohësisht kryetarja e Komisionit të Integrimit Jorida Tabaku, ka prezantuar dhe depozituar në kuvend 5 ndryshime ligjore të pjesës së “Paketës Anti-korrupsion”.
Në deklaratën për shtyp mbajtur në Kryesinë e Parlamentit, znj Tabaku theksoi se kjo nismë vjen për t’i ardhur në ndihmë Shqipërisë në të cilën korrupsioni është kthyer në gangrenë ndërsa të gjithë raportet ndërkombëtare drejtojnë gishtin tek problemi korrupsionit.
Ajo evidentoi raporte ndërkombëtare që e rreshtonin Shqipërinë nga vendi më i korruptuar në rajon në vendin e një shteti të kapur nga interesa korruptive.
Duke u bazuar në këto raporte por njëkohësisht duke pasur parasysh punën e saj në evidentimin e rasteve korruptive deputetja Tabaku shpjegoi se cilat janë tre shtyllat mbi të cilat ka fokusuar propozimet;
Asnjëherë nuk ndiej kënaqësi kur lexoj raporte ndërkombëtare të cilët e citojnë Shqipërinë për situatën e korrupsionit ashtu siç është. Në fakt sot:
1. Shqipëria ka rënë me 27 vende në Indeksin e Transparency Intentional që nga viti 2016.
2. Shqipëria është në nivelin e kapjes së shtetit, ku sot korrupsioni bëhet me ligje;12 ligje konsiderohen si ligje për kapjen e shtetit, 10 prej tyre janë miratuar në 9 vitet e fundit.
3. Korrupsioni është endemik dhe i përhapur në çdo institucion thotë Progres-Raporti, por njëkohësisht dhe raporti i Departamentit Amerikan të Shtetit.
4. Raporti i Gjykatës Europiane të Auditimit thotë që 1 në 3, 30% jepen pa garë.
5. Kontrolli i Lartë i Shtetit ka konsideruar dëm ekonomik në 8 vitet e fundit 8 miliardë euro, buxheti i 2 viteve me radhë!
Të gjitha këto sot sigurisht që janë realitet që çdo shqiptar e ndjen çdo ditë në jetën e tij të përditshme, por në ditën e luftës ndaj korrupsionit, në 8 Dhjetor, në emër të grupit parlamentar të Partisë Demokratike, unë do të prezantoj një paketë me 5 ligje që ne do të lançojmë sot. Kjo sigurisht që nuk do të kufizohet në vetëm këto propozime, por do të vazhdojë dhe do të pasurohet njëkohësisht dhe me propozime të tjera në kohë.
“Rritja e kërkesës së llogarisë, forcimit të kushteve për dhënien e tenderave publike, duke nisur nga ato normale duke vazhduar me ata sekretë; rritja e transparencës dhe së fundmi rritja e llogaridhënies dhe përgjegjësisë për këdo që merr një vendim me dëm për buxhetin e shtetit.” U shpreh Tabaku në konferencë.
Më pas ajo rreshtoi 5 projektligjet në të cilat ka propozuar amendimet përkatëse;
1- Ligji për Prokurimet Publike
2- Ligji për Koncesionet dhe Partneritetin Publik dhe Privat
3- Ligji për Planifikimin dhe Rregullimin e Territorit
4- Ligji për Investimet Strategjike
5- Ligji për Komisionet Hetimore.
Unë besoj që qëllimi i çdo ligjvënësi është që të ngrejë barrierat mbrojtëse që duhet të ketë vendi ndaj korrupsionit.
Natyrisht, mbetem e bindur që çdo gjë është në dorën e qeverisë shqiptare. Unë mbetëm e bindur që vullneti për ta luftuar korrupsionin është me qeverinë.
Prandaj, këto amendime synojnë të forcojnë zbatimin e vullnetit të parlamentit dhe pakicës parlamentare, për të rritur kontrollin, llogaridhënien por atë çfarë është më e rëndësishme për të rritur përgjegjësinë finale të atyre që do të mbajnë përgjegjësi për shpërdorimin e fondeve publike.
Ne i japim zgjidhje problemeve kryesore që ekzistojnë duke filluar nga tenderat që sot janë pa garë, duke vazhduar me tenderat të cilët sot konsiderohen sekret; me burimet e financimit të kompanive të cilat sot janë kompani që nuk i njeh askush dhe bëjnë biznes me shtetin. Duke vazhduar me aksesin e informacionit, por njëkohësisht me transparencën dhe duke përfunduar me llogaridhënien.
Propozimet e deputetes Tabaku vijnë një vit pasi ajo ka drejtuar Komsionin Hetimor të Inceneratorëve.