Të dhënat bankare të shtetasve shqiptarë duket se janë kopjuar dhe disponuar nga grupi i personave të akuzuar nga Prokuroria për publikimin e databazës së pagave në fillim të këtij viti. Informacionet në fjalë nuk janë bërë publike pasi një dokument i Komitetit shqiptar të Helsinkit, thotë se në CD-në e sekuestruar njërit prej personave në hetim, janë gjetur një numër i konsiderueshëm dokumentash me të dhëna bankare për klientë të ndryshëm. Për këtë episod nuk ka asnjë të akuzuar nga prokuroria.
Një dokument i Komitetit Shqiptar të Helsinkit në lidhje me skandalin, evidenton faktin se një numër i konsiderueshëm të dhënash bankare të klientëve të ndryshëm janë gjetur në një prej disqeve të sekuestruara nga prokuroria dhe të ekspertuar gjatë hetimeve për publikimin e databazës së pagave. Pavarësisht se nuk janë bërë ende publike, duket se të dhënat bankare të qytetarëve janë kopjuar dhe kanë qarkulluar tek personat që shitën databazën e pagave apo të targave.
“Në kuadër të hetimeve penale të Prokurorisë së Tiranës për databazën e pagave, në hard diskun objekt ekspertimi që i përket një prej të pandehurve, u konstatua edhe një numër i konsiderueshëm dokumentash të tjerë me të dhëna bankare për klientë të ndryshëm”, thuhet në dokumentin e Komitetit Shqiptar të Helsinkit.
Ky organizëm e sheh shumë shqetësues këtë fakt në drejtim të sigurisë së të dhënave dhe shton se është e paqartë se si janë marrë këto informacione dhe nëse ka patur nga prokuroria referim për hetimin administrativ të subjekteve kontrollues në sektorin bankar apo më gjerë që janë në kontakt me këto të dhëna.
Skandali me pagat dhe me të dhënat e tjera persona tronditi vendin në fund të vitit 2021. Tre dokumente me të dhënat personale dhe konfidenciale të rreth 630 mijë qytetarëve shqiptarë, mes të cilave dy me pagat dhe një tjetër me targat e makinave, qarkulluan në rrjetet sociale, duke cënuar kështu privatësinë e çdo qytetari.
Ndërkohë që kryeministri Edi Rama justifikohej duket pretenduar se një “dorë destabilizuese” i kishte nxjerrë me qëllim të dhënat, ky version iu hodh poshtë nga Prokuroria që vuri në pranga përgjegjësit. Por, ditë më vonë, Gjykata e Tiranës nxorri jashtë qelisë, 4 personat që u akuzuan për këtë gjë, duke caktuar masat e sigurisë ‘detyrim paraqitje’ për eksperten e IT te Tatimet, Eni Qirjakon si dhe ‘arrest shtëpie’ për 3 të arrestuarit e tjerë, ekspertin tjetër të IT te Tatimet, Andi Agaraj dhe dy përmbaruesit privatë Klodian Sota dhe Endri Ikonomi.
Burime për: Ora News