Pastrimi i parave në ekonominë shqiptare e ka kthyer këtë të fundit në një “lavatriçe” gjigande pastrimi në rajon. Miliarda lekë po hidhen dhe po pastrohen në biznesin e ndërtimit, pasurive të patundshme, sektorin e turizmit, por edhe sektorë më të vegjël të ekonomisë, ku është e lehtë justifikimi dhe fshehja e parave.
Në këtë lojë duket se është përfshirë gjerësisht edhe sektori bankar dhe ai i mikrofinancave, duke marrë edhe këta një “llokmë” nga i gjithë lumi i parave që po vërshon drejt Shqipërisë.
“Priza.al” që në nisje të saj ka sjellë me fakte dhe dëshmi aktivitetin e madh të pastrimit të parave që po zhvillohet në një prej sektorëve financiar siç janë institucionet e mikrofinancave.
Edhe aty në një kohë që zhduken miliona euro në forma spektakolare, fatura po rëndon mbi kurrizin e shtetasve shqiptarë.
Por deri tani as Prokuroria, as Banka e Shqipërisë, as Ministria e Financave dhe as Agjencia e Mbikëqyrjes Financiare, nuk e e kanë prishur “gjumin”, edhe pse të tilla institucione, në dukje të parëndësishme, po kthehen ngadalë në skema piramidale që herët a vonë do t’i krijojnë probleme sistemit ekonomik në vend.
Nisur nga kjo, por duket edhe nga kërkesa e vazhdueshme dhe presioni në rritje i institucioneve ndërkombëtare, së fundi Prokuroria e Përgjithshme duket se ka nisur të vërë në lëvizje njerëzit dhe strukturat e saj, për të kontrolluar aktivitetin e pastrimit të parave.
Për këtë qëllim Prokuroria e Përgjithshme, ka hartuar edhe një raport që i referohet më tepër të dhënave të një viti më parë.
Raporti i Prokurorisë së Përgjithshme: Në vitin 2020 ra lufta kundër pastrimit të parave dhe trafiqeve
Në raportin përmbledhës të Prokurorisë së Përgjithshme “Mbi gjendjen e kriminalitetit për vitin 2020”, evidentohet rënie e eficiencës në përfundimin e hetimeve dhe mungesë efektiviteti në luftën kundër pastrimit të parave, trafiqeve të paligjshme dhe krimeve kundër jetës të kryera me dashje.
Prokuroria e Përgjithshme njoftoi të martën një përmbledhje të raportimit të kryeprokurorit Olsian Çela në Komisionin e Ligjeve “Mbi gjendjen e kriminalitetit për vitin 2020”, ku evidentohen probleme kryesisht në efiçencën dhe efektivitetin e hetimeve të kryera kundër pastrimit të parave, trafiqeve të paligjshme dhe krimet kundër jetës të kryera me dashje. Gjithashtu, konstatohet se drejtuesit e prokurorive të juridiksionit të përgjithshëm nuk kanë përmbushur si duhet detyrimin për të raportuar mbi veprimtarinë organizative dhe administrative të tyre.
Megjithëse në prokuroritë e juridiksionit të përgjithshëm gjatë vitit 2020 janë referuar më pak materiale kallëzuese se në 2019-ën, rezulton që efiçenca dhe efektiviteti të jenë në rënie.
Nga 58 mijë e 466 materiale kallëzuese janë ndjekur gjithsej 44 mijë e 834 procedime penale, nga të cilat 27 mijë e 890 janë regjistruar gjatë 2020-ës dhe për 13 mijë e 632 referime është vendosur mosfillimi i procedimit.
Në raport thuhet se janë përfunduar 26 mijë 169 çështje, ku krahasuar me vitin 2019 është konstatuar ulje me 7,14 %. Nga çështjet e përfunduara, 38.11 % janë dërguar për gjykim; 22,62 % janë pushuar; 35,93 % janë pezulluar dhe 3.34 % janë transferuar në prokuroritë kompetente.
Prokuroria e Përgjithshme konstaton ulje në masën 4,05 % të numrit të çështjeve të dërguara në gjykatë dhe 5.41 % e numrit të të pandehurve.
Gjithashtu ka rezultuar rënie me 4,59% e kërkesave për miratim urdhri penal dhe nga gjykata është vendosur refuzimi i miratimit me ulje të 40% të rasteve.
Prokuroritë e rretheve kanë kryer 58,58 % më pak ankime për çështje themeli se një vit më parë, ndërkohë që ka pasur rritje me 13,51 % të ankimeve për masa e sigurimit personal. Ulje është shënuar edhe në urdhrat e ekzekutimit të vendimeve të formës së prerë me 52,41 % më pak se në 2019-ën.
“Kjo rënie do të jetë pjesë e një analize të thelluar gjatë vitit 2021”, citohet në pjesën e raportit ku evidentohen të dhënat për efiçencën e prokurorive.
Në raportin përmbledhës thuhet se lufta kundër pastrimit të parave, krimeve financiare dhe hetimeve pasurore ka qenë objektiv prioritar insitucional dhe për këtë arsye janë ndërmarrë hapa për nënshkrimin e memorandumeve të bashkëpunimit me disa institucione gjatë vitit 2020. Pavarësisht kësaj, evidentohen rezultate jo të mira në hetimet e kryera për këtë vepër penale.
Sipas Prokurorisë së Përgjithshme, edhe pse ka pasur një rritje të numrit të procedimeve dhe të personave të marrë të pandehur krahasuar me vitin 2019, rezulton se efektiviteti i ndjekjes penale për pastrimin e parave dhe financimin e terrorizimit gjatë vitit 2020 ngelet në nivele jo të kënaqshme.
“[…]evidentohen tregues të ulët të raportit të çështjeve penale të dërguara në gjyq krahasuar me çështjet e pushuara”, citohet në raport.
Situatë e ngjashme rezulton edhe për çështjet e trafiqeve të paligjshme, pasi janë pushuar 68,75 % e procedimeve të regjistruara dhe janë dërguar për gjykim 31,25 % e tyre.
Po ashtu, nga procedimet regjistruara për “Krime kundër jetës të kryera me dashje” janë dërguar për gjykim 31,66 % e çështjeve dhe janë pushuar 68,34 %. Në raport thuhet se 88% të këtyre çështjeve të pushuara i zënë ato për veprën penale të kanosjes, ndërkohë që për vrasjet me dashje janë dërguar për gjykim 63,81 % dhe janë pushuar 36,49 %.
Efektivitet i ulët ka rezultuar edhe për në hetimin e veprave penale “Shkelja e rregullave të qarkullimit rrugor”, nga të cilat janë dërguar për gjykim 41,82% dhe janë pushuar 58.18%.
Veprat penale të dhunës në familje kanë rezultuar me efektivitetin më të lartë të ndjekjes penale, pasi janë dërguar në gjyq 83,01 % e çështjeve dhe janë pushuar 16,98 % e tyre
Edhe hetimet për çështje që kanë të bëjnë me narkotikët konsiderohen efektive pasi rezulton të jenë dërguar për gjykim 58,42 % dhe janë pushuar 41,58 %.
Gjatë 2020-ës është shënuar ulje e procedimeve për veprat penale dhe rritje e numrit të çështjeve të hetuara për kundërvajtje penale.
Prokurori i Përgjithshëm Olsian Çela konstaton shkelje të afateve nga ana e drejtuesve të prokurorive të rretheve gjyqësore lidhur me raportimet për veprimtarinë organizative dhe administrative të tyre, të përcaktuara me aktet ligjore dhe nënligjore.
Ai vlerëson se rregullimi ligjor aktual vështirëson lidhjen organike efektive mes drejtuesve të prokurorive në prokuroritë e shkallës së parë dhe të apeleve me Prokurorinë e Përgjithshme.
/Priza.al/