Lufta në Ukrainë/ SHBA: Rusia po zgjeron arsenalin e saj bërthamor

Rusia po zgjeron arsenalin e saj bërthamor, tha të premten Sekretari i Mbrojtjes i SHBA-së, , në kohën kur presidenti rus Vladimir Putin disa herë ka sugjeruar se ai mund të përdorte armë bërthamore “për të mbrojtur Rusinë”.

“Rusia gjithashtu po modernizon dhe zgjeron arsenalin e saj bërthamor”, tha Austin në ceremoninë për komandantin e ri të Komandës Strategjike të SHBA, e cila mbikëqyr arsenalin bërthamor të vendit.

“Derisa Kremlini vazhdon luftën e tij mizore dhe të paprovokuar kundër Ukrainës, e gjithë bota e ka parë Putinin të përfshihet në vringëllimën e papërgjegjshme me armë bërthamore”, shtoi Austin.

Presidenti rus Vladimir Putin, më 7 dhjetor, deklaroi se rusët “do të mbrohen me të gjitha mjetet në dispozicion”.

Ai tha se rreziku i një lufte bërthamore po rritet, por se Rusia e sheh arsenalin e saj “si një mjet hakmarrjeje dhe jo që të sulmojë e para”.

“Ne i kemi këto mjete në një formë më të avancuar dhe më moderne se çdo vend tjetër bërthamor, por ne nuk do të vrapojmë nëpër botë duke i tundur këto armë si brisk”, tha Putin.

Që nga fillimi i pushtimit rus të Ukrainës, më 24 shkurt, mijëra njerëz janë vrarë, miliona janë zhvendosur, qytete të shumta ukrainase janë shkatërruar, sikurse dhe një pjesë e madhe e infrastrukturës së vendit, ndërkaq ekonomia globale është tronditur./REL

Share This Article
Leave a comment

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *