Policia shqiptare konferencë të përbashkët me atë italiane për luftën kundër kanabisit

Përfaqësues të lartë të Policisë së Shtetit dhe të Policisë italiane kanë bërë prezente dhe kanë analizuar rezultatet e arrira gjatë vitit 2022, në luftën e përbashkët kundër kultivimit të kanabisit.

Gjatë fjalës së tij, Drejtori i Përgjithshëm i Policisë së Shtetit Drejtues Madhor Muhamet Rrumbullaku ka theksuar se Policia e Shtetit, gjatë vitit 2022, u angazhua maksimalisht për përmbushjen e prioriteteve dhe masave të përcaktuara në dokumentet strategjike, veçanërisht për përmbushjen e Strategjisë Kundër Krimit të Organizuar dhe Krimeve të Rënda 2021-2025 dhe të Planit të Veprimit, në zbatim të saj.

Nëpërmjet statistikave dhe pamjeve filmike, ai ka prezantuar punën e bërë nga Policia e Shtetit, në bashkëpunim me Policinë italiane, në luftën kundër kanabisit. Ai ka theksuar se gjatë këtij viti, ndërthurja e burimeve njerëzore me ato logjistike ka rritur efikasitetin dhe rezultatet e punës. Gjithashtu, lufta kundër kanabisit ka qenë rezultative falë bashkëpunimit me strukturat homologe të vendeve të tjera, veçanërisht falë bashkëpunimit me Policinë italiane dhe Guardia di Finanza-n.

Ky bashkëpunim u konkretizua gjatë këtij viti, me zbatimin e Protokollit Operacional, të nënshkruar më datë 18 shkurt 2021, midis Drejtorisë së Përgjithshme të Policisë së Shtetit dhe Departamentit të Sigurisë Publike të Ministrisë së Brendshme, të Italisë.

Policia e Shtetit, në përmbushje të Strategjisë Kundër Krimit të Organizuar dhe Krimeve të Rënda 2021-2025 dhe të Planit të Veprimit, në zbatim të saj, gjatë vitit 2022:

– ka kryer gjithsej 156 124 kontrolle dhe 345 010 orë shërbimi, duke përdorur edhe 53 dronë;

– ka marrë dhe trajtuar 7358 informacione policore për kultivimin e bimëve narkotike, ose 335 informacione më shumë se një vit më parë;

– nga rritja e bashkëpunimit me agjencitë e tjera ligjzbatuese, janë ndjekur 162 informacione, ose 97 informacione më shumë se një vit më parë;

– ka referuar dhe ndjekur 186 procedime proaktive, me metoda speciale të hetimit, kundër kultivimit të bimëve narkotike, ose 40 procedime më shumë se një vit më parë;

– ka evidentuar 30 raste të sekuestrimit të farave të kanabisit, si rezultat i të cilave janë sekuestruar rreth 3.5 kilogramë fara të kësaj bime.

Gjatë këtij viti u goditën edhe 24 raste të tjera të kultivimit të bimëve narkotike, në ambiente të mbyllura, me anë të llambave. Për këto raste u proceduan penalisht 56 shtetas të implikuar dhe u asgjësuan 3633 bimë narkotike dhe 2318 kubikë me fidanë të kësaj bime.

Falë punës së pandërprerë, treguesit kanë ardhur në rritje, krahasuar me të njëjtën periudhë të vitit të kaluar.

-Gjatë vitit 2022 janë evidentuar 548 raste të kultivimit të bimëve narkotike, nga të cilat 362 janë raste kultivimi të konstatuara dhe të goditura, dhe 186 raste të tjera janë evidentuar përmes procedimeve proaktive; janë implikuar në këtë veprimtari kriminale 352 shtetas, nga të cilët 157 janë arrestuar në flagrancë apo janë ndaluar; janë gjetur dhe asgjësuar 116 212 bimë narkotike nga të cilat 40921 të konstatuara nga monitorimi ajror i GDF-së. Gjithashtu, nga shërbimet e Policisë së Shtetit janë evidentuar dhe asgjësuar edhe 5139 kubikë narkotikësh.

Ndërsa gjatë vitit 2021 janë evidentuar 848 raste të kultivimit të bimëve narkotike, nga të cilat 736 janë raste kultivimi të konstatuara dhe të goditura dhe 112 raste të tjera janë evidentuar përmes procedimeve proaktive; janë implikuar në këtë veprimtari kriminale 668 shtetas nga të cilët 400 janë arrestuar në flagrancë apo janë ndaluar; janë gjetur dhe asgjësuar 166 212 bimë narkotike dhe 20 997 kubikë narkotikësh.

Në përfundim të fjalës së tij, Drejtori i Përgjithshëm ka falënderuar Departamentin e Sigurisë Publike, të Ministrisë së Brendshme të Italisë, Misionin Interforce, Guardia di Finanza-n dhe të gjithë kolegët italianë, të angazhuar në luftën e përbashkët kundër kultivimit të kanabisit.

Gjatë fjalëve të tyre, Gjeneral Brigade z. Gianpiero Ianni dhe Gjeneral Brigade Vincenzo Caci kanë falënderuar Policinë e Shtetit shqiptar, për bashkëpunimin e vazhdueshëm dhe të çmuar që i kanë ofruar shërbimeve të Policisë italiane, për aktivitetet e bashkëpunimit në përgjithësi dhe në veçanti për aktivitetin kompleks të monitorimit ajror.

Rezultatet e arrira janë padyshim histori suksesi, fryt i sinergjisë dhe angazhimit nga Italia dhe Shqipëria dhe mbi të gjitha falë punës së kryer në terren, nga punonjësit e Policisë shqiptare.

Gjeneralët e GDF-së e vlerësuan maksimalisht angazhimin dhe përkushtimin e Policisë së Shtetit, gjatë operacionit të zhvilluar në muajin gusht. Falë këtij angazhimi dhe shkëmbimit në kohë të informacionit, u godit një rast i tentativës për trafikim të lëndëve narkotike drejt Italisë.

Gjeneral Ianni: “Për herë të parë, gjatë këtij viti, nga Guardia di Finanza, aktiviteti i monitorimit ajror u krye me përdorimin e një helikopteri, të pajisur me sisteme të teknologjisë së fundit. Në maj 2022, Guardia di Finanza filloi fluturimet ajrore të monitorimit. Janë kryer 63 misione ajrore, 182 orë fluturimi dhe 55 raporte monitorimi. Në total për vitin 2022, nga monitorimi ajror, janë konstatuar dhe asgjësuar 40 921 bimë narkotike, krahasuar me 92 428 bimë narkotike kanabis sativa, të konstatuara dhe të asgjësuara gjatë vitit 2021”.

Gjeneral Caci: “40 921 bimët e asgjësuara, sipas raporteve tona, në ndryshim nga misionet e mëparshme, duhet të konsiderohen si një shenjë e prekshme e një kapaciteti gjithnjë e më të lartë ndërhyrjeje të zbatuar në terren nga Policia e Shteti shqiptar. Prandaj, këto të dhëna numerike duhet të konsiderohen si shenjë e nxitjes së mëtejshme për veprimet e përbashkëta mes Italisë dhe Shqipërisë, për zbatimin e ligjit.

Ambasadori Bucci ka vlerësuar përpjekjet e Policisë shqiptare, të Policisë italiane dhe të GDF-së, që kanë sjellë rezultate shumë më të mira se vitin e kaluar, si dhe ka premtuar se ambasada italiane në Tiranë do të kontribuojë që qeveria dhe Policia italiane të mbështetin më shumë Policinë e Shtetit shqiptar.

Në mbyllje të konferencës, zv.ministri i Brendshëm Besfort Lamallari, në emër të Ministrit të Brendshëm, iu ka shprehur mirënjohje Policisë italiane, ekipit të GDF-së dhe punonjësve të Policisë së Shtetit, të cilët bashkërisht, gjatë këtij viti, bënë të mundur parandalimin dhe goditjen e tentativave për kultivim të bimëve narkotike.

Lamallari: “Stigma e së shkuarës, e ushqyer nga imazhe të fortesave të paligjshmërisë, që bënin xhiron e botës përmes raporteve apo lajmeve të zjarrit të hapur, nga toka dhe nga ajri ndaj forcave të Policisë apo gomoneve të ngarkuara me lëndë narkotike dhe armë, i ka lënë vendin sot Shqipërisë anëtare të Këshillit të Sigurimit të Kombeve të Bashkuara, kryesuese në vitin 2020, e Organizatës për Siguri dhe Bashkëpunim në Europë, si dhe mikpritëse për herë të parë, jashtë kufijve të Bashkimit Europian të Samitit BE – Ballkani Perëndimor.

Faktet flasin vetë për një Shqipëri shumë herë më të sigurtë sot, dhe rezultatet e prezantuara gjatë kësaj Konference të Përbashkët, si produkt i një pune intensive në terren dhe monitorimesh objektive dhe profesionale nga ajri, dëshmojnë pikërisht këtë”.

Share This Article
Leave a comment

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *