Shqipja dhe Bashkimi Evropian

Agim Vinca

(Post scriptum)

Kur po bëhesha gati ta dorëzoja librin në shtyp,[1] më ra në dorë një artikull me titull “Si të hyjmë në Evropë me një alfabet modern”, botuar në gazetën “Dita” të Tiranës, më 7 shtator 2022. Emrin e autorit, Aristotel Spiro, e kisha dëgjuar, por nuk kisha lexuar gjë prej tij. E lexova me kërshëri dhe me një ndjenjë habie artikullin në fjalë, sepse nuk kisha dëgjuar që dikush ta “kontestonte” alfabetin me të cilin shqiptarët si komb shërbehen tash më se njëqind vjet.

Pas këtij artikulli, i cili, siç pohon vetë autori, ishte botuar fillimisht para 14 vjetësh (më 2008), lexova edhe një libër të këtij autori, librin me titull “Shqip (Sprova gjuhësore dhe artikuj)”, botuar në vitin 2010, në të cilin, krahas shkrimeve të tjera, hasen edhe dy artikuj ku flitet për alfabetin shqip: “Alfabeti shqip – miti dhe e vërteta” (2008) dhe “Çmitizimi i diskutimit për alfabetin” (2009). Ky i dyti është replikë ndaj shkrimit të profesor Rami Memushajt “Gabim historik apo një zgjidhje historike”, botuar po në gazetën “Shekulli” të Tiranës më 19-20. 12. 2008.

Ç’thuhet në shkrimin “Si të hyjmë në Evropë me një alfabet modern” të Aristotel Spiros, ç’problem ngre autori i tij dhe me çfarë teze del para lexuesve?

Duke u nisur nga teoria grafematike, përkatësisht nga inventari grafematik, zoti Spiro propozon heqjen e dyshkronjëshave nga alfabeti shqip, sepse në këtë mënyrë, sipas tij, shqipja do të barazohej me anglishten, frëngjishten, gjermanishten, italishten dhe gjuhët e tjera evropiane. Kërkohet, pra, rishikimi i statusit të dyshkronjëshave në alfabetin shqip. Dyshkronjëshat: dh, gj, nj, ll, rr, sh, th, xh, zh, sipas këtij autori, nuk e kanë vendin në alfabet. Përjashtimi i dyshkronjëshave nga alfabeti, nënvizon ai, nuk do të ndikojë në sistemin shkrimor. Shqipfolësit do të vazhdojnë të shkruajnë në të njëjtën mënyrë si para ashtu edhe pas heqjes së dyshkronjave nga alfabeti. Pra, praktikisht asgjë nuk do të ndryshojë, përveç tabelës së alfabetit, e cila do të përfaqësohet vetëm me grafemat e thjeshta dhe jo me kombinimet e tyre. Shqiptarët do të vazhdojnë të shkruajnë njësoj si më parë, me të njëjtat rregulla drejtshkrimore në fuqi. Librat e botuar do të lexohen njësoj si më parë dhe nuk do të jetë nevoja e ribotimit të tyre. Nëse ribotohen, nuk do të ndryshojnë nga botimet e mëparshme. Dhe këtë tekst që po lexoni do ta shkruajmë, nëse do ta shkruanim përsëri, do të përdornim të njëjtat shkronja, me pikë e me presje. Vetëm fjalorët do të ndryshojnë: fjalorët e shqipes dhe fjalorët shqip-gjuhë e huaj nuk do të kenë më zëra që fillojnë me dyshkronjësha. Zërat e deritanishëm nën dyshkronjëshat do të inkuadrohen tek shkronja e parë e dyshkronjëshit.

Ky është me pak fjalë thelbi i artikullit “Si të hyjmë në Evropë me një alfabet modern”.

Në versionin e “Ditës”, përveç titullit, gjejmë edhe dy-tri risi që nuk gjendeshin në versionin e parë, atë të “Shekullit” (2008) dhe të librit “Shqip” (2010), që janë identikë.

Përse bëhet fjalë?

Pikësëpari motivi. Autori thekson se e ka parë të udhës ta ribotojë këtë shkrim tani që Shqipëria po bëhet gati të hyjë në Bashkimin Evropian. Kërkesa e hershme, e shfaqur qysh në vitin 2008, tani arsyetohet me nevojën e “modernizimit” të alfabetit shqip, në të vërtetë të “barazimit” të tij grafik me alfabetet e vendeve të tjera të BE-së.

Nuk e paragjykoj autorin e shkrimit, zotin Aristotel Spiro, as qëllimin e tij, por pohimi i tij mbi nevojën e “reformimit” të alfabetit shqip në emër të afrimit me qytetërimin evropian, nuk më duket i qëndrueshëm.

Greqia ka hyrë në Bashkimin Evropian, plot dyzet vjet më parë, me alfabetin e saj, që dallon shumë nga ai i shteteve që e kanë formuar këtë bashkim ekonomik dhe politik: i Francës, Gjermanisë, Italisë etj.

Bullgaria hyri në Bashkimin Evropian, vite më parë (bashkë me Rumaninë), me alfabetin e saj cirilik dhe me sa dimë askush nuk e ngriti si problem “azbukën” e Sofjes. Edhe Maqedonia e Veriut po bëhet gati të anëtarësohet në BE me alfabetin e saj cirilik, të cilin e mbron me fanatizëm.

Shqipëria vërtet e fitoi, pas shumë vjet pritjesh e përpjekjesh, statusin e vendit kandidat në BE, por për t’u bërë anëtare e plotë e saj i duhet edhe shumë punë. Ne kemi punë shumë më emergjente e më të rëndësishme sesa “reforma” e alfabetit! Na presin detyra të mëdha në ekonomi, arsim, shëndetësi, në politikën sociale, në sistemin politik, në zbatimin e ligjit dhe veçanërisht në luftën kundër krimit e korrupsionit.

Në versionin e ri të artikullit të tij, në këtë të vitit 2022, autori sjell edhe një “argument” lidhur me digrafinë e shqipes: rastin e serbokroatishtes. “Duke miratuar dy alfabete Kongresi i Manastirit dha një zgjidhje digrafie, si në rastin e serbokroatishtes fqinje, e cila shkruhej dhe shkruhet me dy alfabete”, thekson prof. Spiro. Edhe ky pohim, siç do të shohim, nuk është plotësisht i saktë dhe si i tillë e përgënjeshtron vetveten.

Është e vërtetë se në ish-Jugosllavi gjuha e dy popujve më të mëdhenj të federatës: serbëve dhe kroatëve është quajtur serbokroatishte, përkatësisht kroatoserbishte (në Kroaci), por kroatishtja kurrë nuk është shkruar me alfabetin cirilik, por vetëm me atë latin, çka do të thotë se nuk ka pasur digrafi. Serbishtja po. Serbët i kanë në përdorim të dy alfabetet: alfabetin cirilik dhe alfabetin latin, por pas ardhjes së Millosheviqit në krye të Serbisë pothuajse hoqën dorë nga alfabeti latin. Euforia nacionaliste e bëri të vetën edhe në këtë aspekt, aq sa personalitete të kulturës serbe pohonin se alfabeti cirilik ka epërsi ndaj atij latin: është më i bukur dhe “t’i pushon sytë”!

A duhet modifikuar alfabeti shqip për të hyrë në Evropë “me një alfabet modern”? Ta ngresh këtë problem për hir të integrimit evropian do të thotë të krijosh një precedent!

“Në Evropë (por edhe jashtë saj) ka mjaft gjuhë që përdorin dyshkronjësha, por nuk i përfshijnë në listën e alfabeteve të tyre”, por Shqipëria u dashka të hyjë në Bashkimin Evropian me një alfabet modern, me një «mantel» të ri grafematik, pa dyshkronjësha, thuhet në artikullin e z. Spiro.

Nëse gjuhët evropiane (anglishtja, frëngjishtja etj.) i kanë dyshkronjëshat, por nuk i pasqyrojnë në alfabet si shqipja, ka edhe gjuhë që i pasqyrojnë ato. Mjafton të përmendim shembullin e kroatishtes.

Alfabeti kroat (hrvatska abeceda) ka 30 shkronja, prej të cilave tri janë dyshkronjësha: – xh, lj – l dhe nj – nj. (Për shembull: džamija – xhami, ljubav – dashuri, njiva – arë). E, Kroacia është, siç dihet, anëtare e Bashkimit Evropian. Edhe çekishtja ka një dyshkronjësh: ch për h dhe 13 shkronja me shenja diakritike. E, Çekia aktualisht e kryeson Bashkimin Evropian.

Dua të theksoj me këtë rast diçka që më shumë se alfabetit i përket gjuhës, fatit të saj në kthesa historike. Pas shpërbërjes së ish-Jugosllavisë dhe krijimit të shtetit të pavarur kroat, serbishtja dhe kroatishtja, edhe pse nuk kanë ndryshime të mëdha, u bënë gjuhë më vete, ashtu siç u bënë, po për arsye politike, edhe boshnjakishtja dhe gjuha malaziase. Ky fakt do të duhej të na shërbente si mësim ne shqiptarëve, në të vërtetë atyre që kërkojnë rishikimin e vendimeve të Kongresit të Drejtshkrimit dhe krijimin e një gjuhe tjetër standarde shqipe.

Njeri me kulturë dhe njohës i mirë i problemeve gjuhësore, Spiro mban qëndrim të drejtë, shkencor, ndaj çështjes së gjuhës standarde shqipe, të cilën e konsideron çështje të zgjidhur, drejt dhe përfundimisht, por ka një xanxë të vogël lidhur me alfabetin shqip, që nuk e lë të qetë.

Përdorimi i dyshkronjëshave: dh, gj, nj, ll, rr, sh, th, xh, zh, në të vërtetë interpretimi i tyre si shkronja më vete, bie ndesh me parimin që ndjekin popujt e mëdhenj të Evropës në alfabetet e tyre, shkruan z. Spiro, i cili, ndonëse minoritar me origjinë (për çka nuk e paragjykojmë aspak), shqipen e zotëron për mrekulli. Gjuhëtari ynë i njohur, Rami Memushaj, në përgjigjen e tij, lidhur me këtë çështje thekson se dyshkronjëshat e shqipes janë “grafema të përbëra” dhe si të tilla nuk paraqesin asnjë problem.

Shqipja e sotme ka shumë probleme, disa prej të cilave i ka ngritur edhe zoti Spiro në librin e tij Shqip. Shumica syresh lidhen me mungesën e kulturës së gjuhës dhe moskujdesin ndaj normës, kurse ca të tjera me teknologjinë, përkatësisht me përdorimin e kompjuterit në shkrim. Është për çdo kritikë tendenca e reduktimit të alfabetit shqip, e mospërdorimit të shkronjave me shenja diakritike: ë-së (me frekuencë të madhe) dhe ç-së (me denduri më të vogël) jo vetëm në jetën publike e në administratë, por edhe në botime (gazeta, revista, madje edhe në libra, letrarë e shkencorë), pa folur për rrjetet sociale, ku zotëron një mishmash i vërtetë, me pretekstin se nuk i paska kompjuteri, kur dihet se kompjuteri i ka edhe hieroglifet kineze.

Në Evropë do të hyjmë duke shmangur trajtën dyshe: Evropë/ Europë (në favor të së dytës), por jo duke shmangur dyshkronjëshat.

Aristotel Spiro ngre një problem i cili mund të shkaktojë shumë kokëçarje në kulturën shqiptare: ndryshimin e alfabetit shqip, qoftë edhe në një pikë të vetme: shkronjat dyshe.

Nuk mund ta imagjinoj se si do të reagonin fëmijët e shkollave pas këtij ndryshimi eventual në alfabetin shqip? Dhe jo vetëm nxënësit, por edhe mësuesit e tyre! Si do të dukej Abetarja dhe tekstet e tjera shkollore pas kësaj ndërhyrjeje? Si do të dukej Fjalori i gjuhës shqipe dhe fjalorët e shumtë shqip-gjuhë e huaj? Tronditje të mëdha do të shkaktonte heqja e dyshkronjëshave nga alfabeti i gjuhës shqipe dhe reduktimi i shkronjave nga 36 sa i kemi tash njëqind e sa vjet në 27, qoftë edhe me kushtin e afrimit me gjuhët e popujve të mëdhenj të BE-së, që, fatkeqësisht, për Shqipërinë është ende larg, kurse për Kosovën nuk po shihet as në horizont!

Sa i përket alfabetit, orientimin properëndimor ne shqiptarët si komb e kemi dëshmuar që në fillimet e shkrimit shqip dhe e kemi vulosur në Manastir në vitin 1908.

Le të supozojmë për një çast se mund t’i hyjmë kësaj “aventure”: ndryshimit që kërkohet. Kush është kompetent ta bëjë këtë? Cilat instanca a institucione? Qeveria (qeveritë), akademia (akademitë), apo të tjera instanca e institucione, sepse alfabeti shqip nuk i përket vetëm Republikës së Shqipërisë, por mbarë kombit shqiptar, të gjithë shqiptarëve (dhe shqipfolësve) kudo që janë. Mos duhet të mbahet një Kongres i ri, por tani sigurisht jo në Manastir e as në Janinë, por në Tiranë a në Prishtinë, ku klasa politike dhe elita intelektuale nuk mund të merren vesh pothuajse për asgjë?!

Duke parafrazuar një fjalë të urtë popullore shqiptare, do të thoshim: mos po nxjerrim sytë duke dashur të vemë vetulla?! Nuk e vlen barra qiranë.

 

[1] Fjala është për librin: “Saga e shkronjave shqipe (Kongresi i Manastirit: të thëna dhe të pathëna)”, që doli nga shtypi në nëntor të këtij viti, në botim të Agjencisë së Zbatimit të Gjuhës dhe të Institutit të Trashëgimisë Shpirtërore dhe Kulturore të Shqiptarëve, në Shkup.

Share This Article
Leave a comment

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *