Presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq, tha se u kërkon shqiptarëve dhe serbëve në Kosovë që të ruajnë paqen dhe të shtensionojnë situatën.
“U bëj thirrje serbëve në veri [të Kosovës] që të jenë të qetë dhe të mos bien pre e provokimeve”, tha ai pas një takimi të Këshillit për Siguri Kombëtare të Serbisë.
Vuçiq tha se “janë marrë masat e duhura për mbrojtjen e atdheut tonë” dhe ka dhënë disa urdhra, por nuk specifikoi më shumë në lidhje me ta.
Ai tha se përpara se të “ngrejë alarmin dhe të rrisë gatishmërinë luftarake”, do të përpiqet “një milion herë” për ruajtjen e paqes.
Komentet vijnë derisa në veri të Kosovës, disa serbë lokalë ngritën barrikada dhe bllokuan rrugë qysh të shtunën pasdite.
Ata morën këtë vendim pasi Policia e Kosovës arrestoi ish-zyrtarin serb të këtij institucioni, Dejan Pantiq, nën dyshimet se ka organizuar “sulm terrorist” në zyrat e Komisionit Qendror të Zgjedhjeve në veri të Kosovës.
Vuçiq tha se “është i tronditur me deklaratat e disa zyrtarëve evropianë që kanë bërë thirrje për largimin e barrikadave”.
“Askush prej Beogradit nuk i ka urdhëruar barrikadat”, tha ai.
Vuçiq porositi serbët në veri se sulmet mbi misionin e NATO-s në Kosovë, KFOR, dhe atë të BE-së, EULEX, “nuk guxojnë të ndodhin”.
Ai tha se ka marrë garanci nga KFOR-i dhe Evropa se “nuk do të ndërmarrin veprime të dhunshme kundër demonstruesve”.
“Do të vazhdojmë të bisedojmë me ta”, tha Vuçiq.
Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, tha më herët se pret që KFOR-i t’i largojë barrikadat në veri.
Shtetet e Bashkuara bënë po ashtu thirrje për çmontimin e tyre./REL/