SHËNIM: Një gafë kolosale e Ministrisë për Europën dhe Punët e Jashtme

 

Nga Fatos TARIFA

Botuar në DITA

Dje, Ministria për Europën dhe Punët e Jashtme publikoi këtë deklaratë: “Në përgjigje të interesimeve të medias gjatë gjithë ditës dhe për të shmangur çdo spekulim mbi ‘heshtjen’ e MEPJ, konfirmojmë se procedura zëvendësimit të ambasadores Kim ka nisur zyrtarisht, ndërkohë që për emrin e ambasadorit të ri procedura nuk na mundëson të bëjmë komente”.

Si një diplomat që për katër vite me radhë i kam shërbyer vendit tim si ambasador në Shtetet e Bashkuara, kjo deklaratë më shokoi. Më shokoi siç nuk ka ndodhur kurrë më parë. Një deklaratë e tillë, e bërë nga institucioni që harton dhe zbaton politikën e jashtme të Republikës së Shqipërisë dhe që, për këtë arsye, është ndërgjegjjafytyra dhe zëri i kësaj republike në marrëdhëniet e saj me Shtetet e Bashkuara dhe me bashkësinë ndërkombëtare, nuk është thjesht një lapsus, një fjalë e gabuar, ose fjala jo e duhur që del pa dashur, në mënyrë të pavullnetshme, nga goja ose nga pena e dikujt që e ka formuluar atë deklaratë. Një deklaratë e tillë është një gafë diplomatike kolosale.

Edhe nëse dikush do të mendonte se kemi të bëjmë thjesht me një lapsus linguae (shkarje e gjuhës) apo një lapsus calami (shkarje e penës), Frojdi na thotë se një lapsus mund të kuptohet si “një veprim i pavetdijshëm që fsheh një dëshirë të pavetdijshme” dhe që mund të burojë nga një gjendje psikike jo tërërisht e shtypur, e mënjanuar nga ndërgjegjja”. Jacques Lacan pajtohej me këtë interpretim të tij.

E para pyetje që lind është kjo: Ç’punë ka Ministria shqiptare për Europën dhe Punët e Jashtme të shprehet publikisht për një çështje shumë të rëndësishme, që nuk i takon aspak asaj apo qeverisë shqiptare që ajo përfaqëson. Thënë thjesht, deklarata e kësaj ministrie është një ndërhyrje e hapur—flagrante dhe vulgare—në punët e brendshme të një shteti tjetër, dhe jo në punët e brendshme të Maqedonisë së Veriut apo të Kosovës, por të fuqisë më të madhe të globit.

Unë nuk mund të di se çfarë e ka motivuar MEPJ për hartimin dhe publikimin e kësaj deklarate, por nuk besoj se ka qenë “interesimi i madh i medias”, as nevoja për të “shmangur çdo spekulim mbi heshtjen” e asaj ministrie për këtë çështje. MEPJ duhej të kishte bërë pikërisht këtë—të qëndronte e heshtur për një çështje që nuk ka të bëjë aspak me të dhe me shtetin shqiptar, por është një çështje në kompetencën e plotë dhe ekskluzive të Departamentit amerikan të Shtetit, të Senatit amerikan dhe të Presidentit të Shteteve të Bashkuara.

Veprimi i MEPJ me publikimin e një deklarate të tillë është jo vetëm në kundërshtim me çdo normë sjelljeje në marrëdhëniet diplomatike mes shteteve, është jo vetëm skandaloz, por edhe i dënueshëm. Dikush duhet të mbajë përgjegjësi për këtë veprim.

—–

 

Ky artikull është ekskluziv i Gazetës DITA, gëzon të drejtën e autorësisë sipas Ligjit Nr. 35/2016, “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e lidhura me to”. Shkrimi mund të ripublikohet nga mediat e tjera vetëm duke cituar DITA dhe në fund të vendoset linku i burimit, në të kundërt çdo shkelës do të mbajë përgjegjësi sipas Nenit 178 të Ligjit Nr/ 35/2016

 

Share This Article
Leave a comment

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *