Argjentinë-Holandë / Van Gaal i përgjigjet goditjes ‘nën brez’ të Di Maria: Si ty trajtova edhe Depay, tani puthemi në buzë…

Louis van Gaal i është përgjigjur kritikave të Angel Di Maria për aftësitë e tij stërvitore, përpara përplasjes direkte të tyre, me kombëtaret respektive, njëri si trajner dhe tjetri si futbollist, në çerekfinale të Kupës së Botës 2022.

Sikurse dihet, nesër do të luhet Argjentinë-Holandë në “Katar 2022”, me objektivin për të shkuar në gjysmëfinale. Një sfidë e zjarrtë, që mbart brenda vetes edhe frymëzime të tilla për “hakmarrje”. Di Maria tha se Van Gaal ishte “trajneri më i keq i karrierës sime”, pasi të dy punuan së bashku për një sezon te Manchester United (2014-2015).

Mesfushori argjentinas, i cili nënshkroi asokohe me Manchester United për vetëm 60 milionë stërlina, u shit te Paris Saint-Germain pas vetëm një viti, pasi luftoi për t’u bërë pikë referimi në “Old Trafford”, pati përplasje me trajnerin holandez.

Van Gaal, duke folur në konferencën për shtyp së bashku me Memphis Depay, i cili gjithashtu luajti te “Djajtë e Kuq” nën drejtimin e trajnerit aktual të ekipit kombëtar, tha: “Angel Di Maria është një futbollist vërtet i mirë. Në kohën kur luante për Manchester United, ai kishte shumë çështje personale.

Pati thyerje dhe grabitje të shtëpisë ku banonte me familjen, çka ndikoi gjithashtu në gjendjen e tij fizike atë vit. Fakti që ai do të më referohej si trajneri më i keq nuk më shqetëson. Ai është nga të paktët lojtarë që do ta thoshte këtë për mua si trajner. Zakonisht është e anasjellta. Është e trishtueshme që Angel do ta thoshte këtë, vërtet për të ardhur keq.

Depay gjithashtu kishte të njëjtën situatë me mua në Manchester. E shihni besoj, sot qëndron këtu pranë meje, tani e puthim njëri-tjetrin në buzë. Ne nuk do ta bëjmë këtë, por kështu ndodh në futboll”.

Share This Article
Leave a comment

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *