Episodi me protagonist Samuel Eto’o, i cili sulmoi një person teksa po dilte nga “Stadiumi 974”, pas ndeshjes mes Brazilit dhe Koresë së Jugut, vazhdon të shkaktojë diskutime. Në mes të stuhisë, presidenti i Federatës së Futbollit të Kamerunit kërkoi falje përmes kanaleve të tij zyrtare sociale.
Një gjest i vlerësuar nga shumë njerëz, ndërsa të tjerë ende e akuzojnë ashpër Eto’o. Sipas rindërtimit të ngjarjes , një youtuber algjerian do t’i ishte afruar ish-futbollistit me pyetje për kryesorin e ndeshjes Gassama, i cili arbitroi ndeshjen vendimtare për kualifikimin në Botëror mes Kamerunit dhe Algjerisë.
Reagimi i Eto’o ishte i ashpër dhe i tepruar, ndaj i duhej të publikonte një kërkim-falje për të qetësuar stuhinë mediatike pas videove të shumta të shpërndara në rrjet. Ja mesazhi i kërkim-faljes së Eto’o:
“Më vjen thellësisht keq që kam humbur durimin dhe kam reaguar në një mënyrë që nuk më takon mua. Kërkoj falje publike për këtë incident të keq. Unë zotohem t’iu rezistoj provokimeve dhe ngacmimeve të përditshme të disa tifozëve algjerianë.
Në fakt, që kur u luajt Kamerun-Algjeri më 29 mars në Blida (“play-off” për “Katar 2022”), iu u nënshtrova fyerjeve dhe akuzave pa asnjë provë. Gjatë këtij Botërori, tifozët kamerunas u ngacmuan nga algjerianët për të njëjtën çështje. Dua t’ju kujtoj se skenari i humbjes së Algjerisë ishte mizor, por në përputhje të përkryer me rregullat dhe etikën e sportit tonë.
Të gjitha ankesat e paraqitura nga Federata Algjeriane e Futbollit drejtuar juridiksioneve kompetente janë refuzuar. Prandaj kërkoj nga autoritetet algjeriane dhe Federata Algjeriane të marrë përgjegjësinë e tyre për t’i dhënë fund kësaj klime jo të shëndetshme, përpara se të ndodhë një tragjedi më e madhe”.