Partnerja e Cristiano Ronaldos, Georgina Rodriguez, i ka dërguar një mesazh ish-sulmuesit të Manchester United pasi Portugalia mposhti Zvicrën 6-1 në 1/8 finale të Botërorit të Katarit, të martën mbrëma, duke këmbëngulur se tifozët në stadiumin “Lusail Iconic” po brohoritnin emrin e tij gjatë gjithë lojës.
Sipas Rodriguez, ishte turp që tifozët nuk arritën ta shijonin Ronaldon për 90 minuta gjatë fitores ndaj kombëtares helvete. Kujtojmë se trajneri i Portugalisë, Fernando Santos mori një vendim të guximshëm për ta lënë Ronaldon në stol kundër Zvicrës.
Zëvendësuesi i Ronaldos në formacionin fillestar, Goncalo Ramos, shënoi një “hat-trick” të shkëlqyer gjatë takimit, pasi Pepe, Raphael Guerreiro dhe Rafael Leao shënuan gjithashtu nga një gol kundër Zvicrës.
Ronaldo, 37 vjeç, u hodh në lojë në minutën e 74-të të ndeshjes dhe nuk arriti të prodhonte asgjë të rëndësishme. Georgina Rodriguez, e cila ishte e pranishme në stadium, pohoi se turma e tifozëve portugezë këndoi emrin e partnerit të saj nga fillimi deri në fund.
“Urime, Portugali! Ndërsa 11 lojtarët këndonin himnin, të gjitha kamerat u fokusuan te ju. Sa turp që tifozët nuk e shijuan lojtarin më të mirë në botë për 90 minuta”, – shkroi Rodriguez në Instagram.
Ajo shtoi më tej: “Fansat nuk kanë reshtur së bërtituri emrin tuaj. “Shpresoj që me trajnerin dhe mikun tuaj të dashur Fernando të vazhdoni dorë për dore dhe të na bëni të festojmë edhe një natë”.