Këshilltari i Departamentit amerikan të Shtetit, Derek Chollet, dhe i dërguari i ShBA-së për Ballkanin Perëndimor, Gabriel Escobar të hënën do të nisin vizitë dyditore në Kosovë.
Përveç në Kosovë, Chollet do të qëndrojë edhe në Serbi, Bosnjë e Hercegovinë, Maqedoni të Veriut, Mal të Zi, Kroaci dhe Belgjikë nga 11 deri më 17 dhjetor, është bërë e ditur përmes një njoftimi për media nga DASH-i.
Vizita e tyre pritet të bëhet në kohën e rritjes së tensioneve në veri të vendit, kur grupet kriminale serbe në veri, sulmet me armë zjarri e shok bomba ndaj Policisë së Kosovës, sulmet me shok bomba ndaj gazetarëve e vëzhguesve të EULEX-it kanë pamundësuar lirinë e lëvizjes së qytetarëve dhe qarkullimit të mallrave në Jarinje dhe Bërnjak.
Kjo vizitë vjen menjëherë pas asaj të emisarit të BE-së, për dialogun Kosovë-Serbi, Miroslav Lajçk, i cili qëndroi në Prishtinë dhe Beograd për tu takuar me krerët e dy shteteve.
Lajçak, ka thënë se gjatë takimit të tij me kryeministrin e Kosovës, Albin Kurti është ripërsëritur thirrja për normalizimin e marrëdhënieve ndërmjet dy shteteve fqinje. Ai ka thënë se janë duke punuar për çështjen e normalizimit të raporteve, teksa shtoi se “nuk ka më kohë për të humbur”.