Projekti i Portit të ri Tregtar të Durrësit në Porto Romano, pritet të nisë zbatimin me çeljen e kantierit të Porto Romanos brenda vitit 2023. Zëvendëskryeministrja dhe njëkohësisht Ministrja e Energjisë dhe Infrastrukturës, Belinda Balluku ka thënë se projekti do të hidhet në garë ndërkombëtare fillimvitin e ardhshëm.
Ndërkohë kryeministri Edi Rama gjatë fjalës së tij, tha se projekti i ri do të bëjë “që të gjitha rrugët e Ballkanit Perëndimor të të çojnë në Durrës”.
“Falë grupit të inxhinierëve dhe analistëve të “Royal Haskoning DHV”, do të bëjë që të gjitha rrugët e Ballkanit Perëndimor të çojnë në Durrës. Ka pasur një përmasë të rëndësishme fal rrugës Egnatia që lidhte Romakët me Kostandinopojën. U kthye në limanin më të rëndësishëm dhe e mbajti deri pas krijimit të shtetit të Arbrit. Sot jemi vonë, se nëse do të shihnim projeksionet dhe progresionin e volumit të mallrave që kjo vepër do të garantojë në 30 vite apo 20 vite, po të ishte bërë më parë sot do të ishim duke i marrë frytet. Kjo punë nis sot se tani janë kushtet të kemi një port të denjë për shekullin 21, jo si ajo që kemi trashëguar. Si një platformë e braktisur që s’ka asnjë lidhje me këtë shekull dhe asnjë mundësi për zgjerim hapësirash apo kapacitetesh. Është edhe një burim ndonjë mjedisore akustike, vizuale e papranueshme”, tha Rama.
Rama tregoi edhe ambicien e qeverisë, që porti i ri të bëhet nyja më e rëndësishëm strategjike e qarkullimit tregtar me Perëndimin dhe për të gjitha Ballkanin Perëndimor.
“Ata vende që u mblodhën në samitin e 6 dhjetorit, nuk kanë shanse tjetër të kalojnë pa Durrësin. Integrimi me Kosovën dhe Strugën dhe më pas me vendet e tjera do të japë një fytyrë krejt tjetër”, tha Rama.
Sipas kryeministrit ky port e çon bashkëpunimin e nisur rajonal në një nivel tjetër.
“E kemi nisur këtë proces me Kosovën. Kemi filluar punën me hekurudhën dhe kemi mbështetur studimin për portin e thatë të Prishtinës. Kemi punuar për të bindur BE që ta përfshijë Korridorin e 8. Është bllokuar për dekada të tëra për marrjen e statusit për infrastrukturën europiane. Ndër lajme të tjera të samitit, ishte se korridori 8 është i përfshirë në rrjetin e infrastrukturës, rrugor e hekurodhor të BE. Mund të kemi akses edhe në mbështetjen europiane për këtë vepër. Sot nënshkruajmë dokumentin për portin e thatë të Strugës. Duhet të paguaj Maqedonia e Veriut, se ne vetëm Kosovën marrim përsipër”, tha Rama.
Porti është projektuar nga një ndër pesë kompanitë më prestigjioze të botës në fushën e projektimit të porteve, aeroporteve, infrastrukturës tokësore e nëntokësore, energjetike, minerare, industriale, si edhe zhvillimeve urbane e rurale.
Investimi shkon në 390 milionë euro në fazën e parë të projektit dhe pritet të krijojë 1,500 vende pune gjatë ndërtimit të portit që është i ndarë në disa faza me parashikime për përballim të kapaciteteve deri në 2050, tha zëvendësministrja.
Projekti i Portit Tregtar të Durrësit parashikon ndërtimin e porteve të thata në Prishtinë dhe Shkup duke u bërë kështu port rajonal për Kosovë, Maqedoninë e Veriut por edhe më gjerë.
Projekti do të financohet në masën 46 për qind nga shteti dhe 54 për nga kompania ndërtuese që pritet të zgjidhet në një procedurë tenderi ndërkombëtar që do të hapet në janar të vitit 2023.
Porti i ri i Durrësit është një vepër me rëndësi kombëtare në funksion të tregut të përbashkët rajonal.
Projekti i Portit të ri Tregtar të Durrësit, integron hekurudhën Durrës – Prishtinë dhe portet e thata në Kosovë e Maqedoni të Veriut.
j.l./ dita