Ish-anëtari i Këshillit Kombëtar të PD Edvin Kulluri kritikoi procesin e primareve në parti. Ai tha se ky proces nuk është i ngjashëm me atë që ndodh në vende të tjera si SHBA dhe Angli.
“Tallava! Primaret janë krejt tjetër gjë, shikoni primaret në Amerikë, në Angli, këto që po ndodhin këtu s’kanë lidhje. Primaret janë një formë e caktuar zgjedhjesh, një anëtar një votë. Nuk i besohet ujkut të ruajë bagëtitë”, tha ai.
I ftuar në ‘Stay Tuned’ me Valbona Mhillin ai foli dhe në lidhje me kandidimim e mjekut Ilir Alimehmeti në Tiranë. Ai tha se mjeku nuk është politikan. Kulluri shtoi se nuk e sheh si fitues Belin Këlliçin përballë Erion Veliajt.
“Në politikë duhet të hysh politikan ose të bëhesh politikan, nuk mund të hysh ti nga mjekësia në garën më të rëndësishme të Partisë Demokratike, e sidomos për një parti konservatore ku ka shumë rëndësi tradita. Është si t’i japësh një 7-vjeçari një “Audi A8” dhe të dalë në autostradë, do përplaset. Këlliçi është futur në një garë me një “A8” siç është Erion Veliaj, kurse ai një “Volkswagen Passat”. Këlliçin nuk e shoh si fitues për shumë arsye morale, politike dhe integriteti. Nuk më bind, nuk më bind asnjë kandidat. Në Partinë Demokratike nuk janë lënë të rriten personalitete politike që të ishin gati për zgjedhje, pasi çdo njeri që ka pasur mendim ndryshe nga lidershipi, është goditur, është lënë jashtë dhe anatemuar. Rasti im është një ndër ta. Nga legjitimiteti politik, grupimi i zotit Berisha ka shumicën në PD, nuk diskutohet, kush mendon ndryshe gabon rëndë. Lulzim Basha nuk u bë kurrë lider”, shtoi ai.