Ministri i Mbrojtjes së Serbisë, Millosh Vuçeviq, ka mbërritur në Rashkë, ku do të vizitojë pjesëtarët e Forcave të Armatosura Serbe të stacionuar në atë garnizon, njoftoi Ministria e Mbrojtjes.
Zëvendës shefi i Shtabit të Përgjithshëm të Forcave të Armatosura të Serbisë, gjenerallejtënant Petar Cvetkoviq, e informoi ministrin për gjendjen e sigurisë në terren.
Është thënë se Vuçeviq pritet të vizitojë më shumë njësi të vendosura në zonën e përgjegjësisë së Brigadës së Dytë të Armatës.
Një pjesëtar i forcave të armatosura gjermane, i cili është pjesë e KFOR-it, qëndron roje ndërsa serbët lokalë ecin pranë një barrikade në fshatin Rudare, afër Mitrovicës së Veriut, 12 dhjetor 2022.
Çfarë thotë Rezoluta 1244?
Rezoluta 1244 u miratua më 10 qershor 1999 nga Këshilli i Sigurimit i Kombeve të Bashkuara (OKB).
Ai miratoi praninë ndërkombëtare, ushtarake dhe civile në Republikën Federale të atëhershme (FR) të Jugosllavisë, themelimin e Misionit të Përkohshëm Administrativ të OKB-së në Kosovë (UNMIK) dhe Kosova u vendos nën mandatin e OKB-së.
Rezoluta 1244, të cilës i referohet Beogradi në lidhje me kërkesën për dërgimin e trupave në Kosovë, thotë se një numër i rënë dakord i personelit jugosllav dhe serb do të lejohet të kthehet dhe të kryejë funksione të caktuara.
Më pas thuhet në detaje se cilat janë ato funksione – lidhja me misionin civil ndërkombëtar dhe prania ndërkombëtare e sigurisë, pastrimi i fushave të minuara, mbajtja e pranisë në vendet e trashëgimisë kulturore serbe dhe në pikat kryesore kufitare.
Policia serbe dhe ushtria jugosllave u tërhoqën nga Kosova në verën e vitit 1999 pas nënshkrimit të Marrëveshjes së Kumanovës, e cila i dha fund bombardimeve të NATO-s ndaj RF të Jugosllavisë.
Që atëherë, KFOR-i, misioni paqeruajtës i NATO-s, është vendosur në Kosovë.
Presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq, ka njoftuar më 12 dhjetor se Qeveria e Serbisë do t’i dërgojë kërkesë komandantit të KFOR-it për kthimin e deri në 1000 pjesëtarëve të forcave të sigurisë në Kosovë pas seancës së 15 dhjetorit.