Situata e tensionuar në veri, Lajçak viziton Prishtinën dhe Beogradin më 14 dhjetor

Kryediplomati i Bashkimit Evropian, Josep Borrell, ka konfirmuar se i dërguari i BE-së për dialogun Kosovë – Serbi, Mirosllav Lajçak, më 14 dhjetor do të vizitojë Prishtinën dhe Beogradin për të ndihmuar në uljen e tensioneve në veri të Kosovës.

Sipas tij, BE-ja ka gatishmëri që të dërgojë përforcime për misionin e BE-së në Kosovë, EULEX.

Borrell ka konfirmuar se situata në veri të Kosovës ka qenë temë diskutimi në një takim të ministrave të Jashtëm të BE-së.

Sipas njoftimit, të gjithë ata janë pajtuar se duhet “të merren hapa për uljen e tensioneve”.

Që nga 6 dhjetori, në veri të Kosovës janë shënuar një sërë incidentesh të armatosura, që kanë kulmuar me vendosjen e barrikadave pasditen e 10 dhjetorit.

Serbët lokalë nisën ngritjen e barrikadave në veri në shenjë pakënaqësie ndaj arrestimit të një ish-pjesëtari të Policisë së Kosovës.

Autoritetet në Kosovë thanë se ish-polici, Dejan Pantiq, dyshohet se ka organizuar “sulmin terrorist” ndaj zyrave të KQZ-së në veri.

Ndaj tij u caktua një muaj paraburgim më 12 dhjetor.

Komuniteti ndërkombëtar ka kërkuar që të largohen barrikadat dhe i ka dënuar sulmet ndaj Policisë së Kosovës dhe misionit të BE-së në Kosovë për sundim të ligjit, EULEX./REL

a.m/dita

Share This Article
Leave a comment

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *