Ish-kryetarja e Bashkisë së Gjirokastrës, Zamira Rami, ka përfunduar në gjyq. GJKKO e merr të pandehur pasi akuzohet për prishjen e dy objekteve private me leje, gjatë realizimit të projekteve publike, njëra prej të cilave i përket programit të Rilindjes Urbane.
Hetimi ka nisur më 15 korrik 2019. Ajo akuzohet për veprën penale “Shpërdorimi i detyrës”, dhe është denoncuar nga dy qytetarë, Dritan Sako dhe Teodorti Xhai, pasi iu kishte prishur pronat me qëllim zgjerimin e rrugës “Memoriali Kodra e Rilindasve”, që është pjesë lidhëse e anës së poshtme të qytetit me Sheshin e Çerçizit. Sipas SPAK, Rami ka kryer veprime në kundërshtim me aktet ligjore në fuqi, duke i shkaktuar dy shtetasve një dëm pasuror në vlerë 5 600 520 lekë.
Zamira Rami u zgjodh në krye të bashkisë Gjirokastër në vitin 2015 si përfaqësuese e Lëvizjes Socialiste për Integrim me 54.47 % të votave. Pas vendimit të opozitës për të bojkotuar zgjedhjet lokale të 2019, Rami nuk kandidoi për një mandat të dytë.