Shpërthimi i Messit “live” në televizion tashmë është një nga “kartolinat” më të kërkuara të Kupës së Botës në Katar. Esteban Edul, gazetari që zhvilloi intervistën me kampionin argjentinas, pas fishkëllimës së fundit të çerekfinales së tensionuar mes Argjentinës dhe Holandës, ka shpjeguar për gazetën argjentinase “Olé” se pse lojtari i PSG-së u shfaq shumë nervoz “live” kundër Weghorst.
Korrespondenti ka treguar për gazetën argjentinase atë që ka parë në minutat pas fundit të furishëm të ndeshjes, që shpalli gjysmëfinalistin e parë të kampionatit botëror: “Messi tashmë po fyente Weghorst, madje shumë kohë përpara se ta jepte intervistën.
Kishte shumë nervozizëm dhe tensioni nuk ishte ulur ende. Pas ndeshjes, të gjithë po debatonin në dhomat e zhveshjes, jo vetëm Messi. Van Dijk po debatonte në mënyrë të zjarrtë me Otamendin. Dukej sikur ishim pas një derbi (klasike) të ligës argjentinase.
Zemërimi i Messit ishte i lidhur kryesisht me atë që ndodhi gjatë serisë së penalltive. Ai pretendoi se holandezët ishin përpjekur të pengonin dhe nervozonin argjentinasit para çdo ekzekutimi”.
Korrespondenti më pas dha versionin e tij të fakteve mbi “gjenezën” e shpërthimit të Messit: “Weghorst po priste Messin në tunelin e stadiumit, iu afrua dhe i kërkoi fanellën. Me sa duket të dy nuk e kuptuan njëri-tjetrin dhe Leo filloi të nxehej. Holandezi nuk e kuptoi se çfarë po ndodhte dhe ndaloi. Messi vazhdoi të ofendonte, sepse po i thoshte shumë më tepër qysh para fillimit të intervistës.
Aty ishte pak më i qetë, por me sa duket ishte akoma shumë i tensionuar. Ai nuk më shikonte dhe as dëgjonte pyetjet e mia. E pyeta për pasimin e tij të pabesueshëm për Molinën dhe si përgjigje më foli për Van Gaal-in dhe FIFA-n.
Në një moment, teksa ishim në transmetim, e këshillova që të qëndronte i qetë dhe të përmbahej sepse kishte shumë zyrtarë të FIFA-s. Dhe kur je kaq nervoz, kurrë nuk e di se çfarë mund të thuash apo çfarë mund të ndodhë”.