Kryeministri Edi Rama deklaroi ditën e sotme në një komunikim për mediat nga jashtë selisë së PS-së në lidhje me situatën e emigrantëve shqiptarë që ikin drejt Britanisë dhe marrëveshjes me kryeministrin Sunak në lidhje me këtë çështje.
“Kjo është një kërkesë e imja që në kohën kur Boris Johnson ka qenë ministër i jashtëm i Britanisë dhe e kam përsëritur vazhdimisht sepse sa herë ka ardhur dhe ka ndarë me ne këtë shqetësim kam qenë konsistent në të njëjtën gjë. Mos flisni për krim shqiptar sepse nuk ekziston, krimi nuk ka etni. Nëse keni problem dhe kërkoni ndihmën tonë ne jemi të gatshëm që bashkë me ju të ngremë një skuadër speciale siç kemi bërë me vende të tjera e cila do merret 24 orë për identifikimin dhe ndarjen e informacionit dhe në fund ndalimin e atyre elementeve që organizojnë këto trafiqe klandestine. Këtë herë kam pasur një bisedë goxha përmbajëtsore me kryeministrin e fundit dhe ai ka marrë përsipër që jo vetëm të thotë bukur bukur por dhe ta shtyjë përpara. Kemi bërë një dakordësi, nuk është as marrëveshje e re.
E rëndësishme është që kryeministri britanik ka shprehur keqardhjen për atë që ka ndodhur, për faktin që fatkeqësisht komuniteti shqiptar është vendosur në një dritë të gabuar, më ka shprehur gjithë konsideratat për bashkëpunimin në arenën ndërkombëtare, më ka shprehur dhe dëshirën për tu takuar së shpejti dhe pastaj jemi ndalur te kjo pjesë. Unë kam përsëritur të njëjtën gjë, nuk ka pse të ndahen shqiptarët, komuniteti shqiptar vetëm sjellë vlerë në çdo aspekt në çdo vend, problematikët nuk përfaqësojnë komunitetin tonë askund, janë jashtënxjerrjet e një kombi si të çdo kombi. Nëse shanset për azil në Gjermani, Francë apo kudo janë zero, atëherë kërkojeni te vetja e te sistemi britanik, jo te qeveria shqiptare. Ishte dhe një deputet interesant atje që pyeste ambasadorin tonë po këta pse nuk vijnë me WizzAir-in”, tha ai