Përparim në hetimin e vrasjes së dyfishtë të ndodhur në Racalmuto , në provincën e Agrigento , ku burri dhe gruaja u vranë me thikë në shtëpinë e tyre, në katin e tretë të një ndërtese në lagjen Stazione. Është arrestuar Salvatore Sedita, djali 34-vjeçar i çiftit. Pasi u dërgua në komisariat për t’u marrë në pyetje, burri ka rrëfyer se ka vrarë prindërit e tij.
Viktimat janë 66-vjeçari Giuseppe Sedita dhe bashkëshortja e tij 61-vjeçare Rosa Sardo, të dy dyshohet se janë vrarë me disa goditje me thikë në dhomën e ndenjes së shtëpisë. Njëra prej vajzave gjeti trupat: e alarmuar sepse prindërit e saj nuk i përgjigjeshin në telefon, ajo shkoi në shtëpinë e tyre, në katin e tretë të një ndërtese popullore në Racalmuto, dhe hapi derën me çelësat e saj.
Prindërit ishin të shtrirë përtokë në dhomën e ndenjjes, të përqafuar me njëri-tjetrin, të pajetë në një pellg gjaku. Gruaja, një nga gjashtë fëmijët e çiftit, ka lajmëruar menjëherë policinë, e cila ka marrë në pyetje fqinjët dhe pas disa orësh ka vënë në gjurmë djalin e viktimës, duke e çuar në kazermë.
Salvatore Sedita aktualisht është nën vëzhgim në repartin e psikiatrisë. 34-vjeçari, sipas asaj që u konstatua, vuante nga probleme psikiatrike. Ndaj tij është caktuar masa e ndalimit.
Për familjen Sedita duhej të ishte një mbrëmje feste: për Giuseppe-n, një punëtor pylltarie, e marta ishte dita e fundit e punës dhe familja kishte kohë që organizonte një darkë për të festuar daljen e tij në pension. Megjithatë, sipas fqinjëve, në shtëpi prej ditësh kishte debate të ashpra. Sipas hetimeve të para, vrasja do të kishte ndodhur shumë kohë përpara zbulimit të trupave: gjaku, i pranishëm në të gjithë dhomën, ishte ngjizur; megjithatë, autopsia do të sqarojë kohën e saktë të vdekjes.