Kryeministri i Malit të Zi, Dritan Abazoviç për të disatën herë ka deklaruar se jeta e tij është në rrezik, shkruajnë mediat malazeze.
Ai ka akuzuar ish-oficerin e lartë të policisë Zoran Lazoviç dhe biznesmenin Ranko Uboviç se synojnë eleminimin e tij fizik.
Deklarata e tij vjen pasi Lazoviç, Uboviç dhe kompania Bemax ngritën padi duke kërkuar nga Abazoviç 21,000 euro secili për shkelje të të drejtave personale. Abazoviç tha se ata nuk duan para sepse nuk kanë nevojë për para.
Ai tha se është një nder i madh për të që ka drejtuar gishtin në majën e piramidës kriminale në Mal të Zi dhe ka goditur njerëzit drejtpërdrejt në zemër.
“Shihemi në gjykatë. Unë i kam paraqitur pretendimet e mia. Pretendimet e mia janë konfirmuar në një pjesë nga Europoli, në pjesën tjetër shpresoj se do të konfirmohen nga SDT në një periudhë të caktuar. Ju e dini që unë kurrë nuk sillem si viktimë, as nuk kam frikë nga njerëz të tillë, ata njerëz duan likuidimin tim”, tha Abazoviç.