Në Brazil, çështja e lidhur me trajnerin e ardhshëm të kombëtares vazhdon të mbetet temë dite, pas lamtumirës së Tite. Në këto orë janë shtuar zërat për trajnerë të mundshëm, përfshirë edhe të huaj.
Zërat në lidhje me Guardiolën dhe Ancelottin nuk i pëlqyen ish-legjendës së pesë herë kampionëve të botës, Rivaldo. Ai ka publikuar një postim në Instagram ku nxjerr në pah gjithë kundërshtimin ndaj një trajneri jo Brazilian:
“Nuk jam dakord me ata që mbështesin idenë e një trajneri të huaj. Mendoj se është një mungesë e madhe respekti ndaj neve, brazilianëve, dhe mbi të gjitha teknikëve të shumtë të vlefshëm që kemi këtu.
Ka shumë trajnerë të aftë për të bërë një punë të mirë me ‘Seleçao’, si Rogerio Ceni, Renato Gaucho, Cuca, Fernando Diniz dhe Dorival Junior. Të sjellësh një trajner të huaj këtu nuk do të thotë të kesh siguri se do të fitojmë Botërorin e ardhshëm.
Unë mendoj se në vend të kësaj, çdo trajner do të donte të ishte kampion bote për vendin e tij, për të gëzuar bashkatdhetarët e tij, të cilët sigurisht kanë nevojë për të më shumë se ne që jemi ‘penta’. Seleçao është e jona dhe duhet të drejtohet nga dikush që ka gjak brazilian në venat e tij.
Gjëja më e rëndësishme janë lojtarët, ne duhet t’i ndihmojmë, t’i inkurajojmë dhe t’iu besojmë…, sepse kemi një brez të shkëlqyer dhe një bazë me përvojë. Kupa e Botës është një turne i shkurtër dhe ju fitoni ose humbni nga detajet e vogla. Kjo do të vazhdojë gjithmonë për çdo ekip, me çdo trajner. Ky është vetëm mendimi im modest”.