Sot më 14 dhjetor, presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq, në një video-mesazh në Instagram, “i pyeti partnerët perëndimorë nëse do të respektojnë marrëveshjet që i kanë bërë vetë”.
Mesazhi është publikuar para takimeve të Vuçiqit me përfaqësuesin special të Bashkimit Evropian për dialogun ndërmjet Beogradit dhe Prishtinës, Miroslav Lajçak dhe zëvendësndihmës sekretarin amerikan të Shtetit, Gabriel Escobar.
Vuçiq shtoi se ai “i kërkoi Perëndimit t’i tregonte se cilin nga pesë apo gjashtë dokumentet e rëndësishëm duan të respektojnë”.
Shumica e dokumenteve të përmendura nga Vuçiq i referohen Kosovës.
“Marrëveshja e Kumanovës, Karta e OKB-së, Rezoluta 1244, Marrëveshja e Brukselit apo Marrëveshja e Uashingtonit. Kemi arritur në dokumentin e gjashtë, shumë të rëndësishëm të BE-së nga viti 2003, dokumentin e famshëm të Selanikut, për zgjerimin e BE-së në Ballkanin Perëndimor.” shpjegoi Vuçiq.
Vuçiq shtoi se në Marrëveshjen e Selanikut ekziston një klauzolë që thotë se do të mbështetet zbatimi i Rezolutës 1244.
“Dhe në dritën e dorëzimit të aplikacionit për anëtarësim në BE të të ashtuquajturës Kosovë, pyetja ime është se a do të respektojnë dokumentet që i kanë sjellë vetë”, tha Vuçiq.
Më 14 dhjetor, liderët e Kosovës nënshkruan aplikacionin për anëtarësim në BE, i cili një ditë më vonë do t’i dorëzohet Republikës Çeke, vendit që aktualisht kryeson me BE-në.