Të mërkurën në mëngjes, katër të dyshuarit e arrestuar në skandalin e korrupsionit në Parlamentin Evropian dolën para dhomës së Këshillit në Pallatin e Drejtësisë në Bruksel. Kjo ndodhi me pjesëmarrje të madhe të mediave ndërkombëtare.
Katër të dyshuarit janë arrestuar nga policia belge në një rast pagese ryshfeti. Ata akuzohen se kanë pranuar shuma të mëdha parash dhe dhurata të tjera për të përdorur lobimin për ta vënë Katarin në një dritë më të mirë ose për të lehtësuar vendimet e favorshme për shtetin e shkretëtirës.
Në këtë kuadër, ditët e fundit janë kontrolluar 10 banesa dhe zyra të eurodeputetëve apo punonjësve të tyre. Hetuesit kanë gjetur para të gatshme në vlerë prej rreth një milion e gjysmë euro. Përveç kësaj, mësohet se janë konfiskuar sende me vlerë dhe makina luksoze.
Të dyshuarit më të spikatur në këtë rast janë nënkryetarja tashmë e shkarkuar e Parlamentit Evropian, socialistja greke Eva Kaili (Pasok) dhe tre bashkëpunëtorë të saj të ngushtë, të gjithë me kombësi italiane. Prokuroria publike me sa duket po heton edhe për formimin e një organizate kriminale.