Strukturat mjekësore publike të të gjitha niveleve në vend konfirmojnë me qindra vende të lira për punonjës të shkencave mjekësore teknike, kryesisht të profileve infermieri, mami, teknikë laboratori dhe imazherie, etj. Operatori i Shërbimeve të Kujdesit Shëndetësor ka detajuar hapësirat e lira të punësimit për të gjitha qendrat shëndetësore, poliklinikat, si dhe spitalet rajonale dhe ato terciare për profesionistë të këtyre specialiteteve në të gjithë vendin.
Sikundër ka ndodhur edhe gjatë muajve të shkuar, plotësimi i këtyre vendeve vakante do të bëhet nëpërmjet portalit të punësimit “Infermier për Shqipërinë”, ku janë me mijëra kandidatë në listat e pritjes për punësim. Në këto kushte, të gjithë fituesit e portalit të shpallur në fazat e mëhershme të aplikimeve dhe që aktualisht janë në listëpritje, do të vazhdojnë të punësohen sipas radhës, deri në daljen e fituesve nga konkurrimet e zhvilluara gjatë këtij sezoni.
Edhe për këtë fazë, pjesa dërmuese e të punësuarve që do të zgjidhen nga listat e pritjes për këto vende të lira, do të mund të marrin kontratën definitive të punës, ndërsa një pjesë tjetër do të jenë të punësuar provizor, sipas nevojave të shpallura nga qendrat shëndetësore, poliklinikat, apo edhe strukturat spitalore. Për vendet provizore, autoritetet e shëndetit sqarojnë se pas përfundimit të periudhës së punësimit si zëvendësues, teknik i shkencave mjekësore në profilet përkatëse kalon në listën e pritjes duke u renditur në përputhje me pikët totale që ka siguruar nga fazat e konkurrimit nëpërmjet portalit.
Sipas të dhënave të bëra publike, në të gjitha strukturat mjekësore publike të rajonit të Tiranës janë 113 vende të lira, pjesa dërrmuese e të cilave në infermieri pranë qendrave shëndetësore. Ndërsa në rajonin e Elbasanit janë 121 vende të lira për punësimin e infermierëve dhe profesionistëve të tjerë të shkencave mjekësore teknike. Në spitalet, poliklinikat dhe qendrat shëndetësore që mbulon Rajoni i Shkodrës raportohen 110 vende të lira pune, ndërsa në ato të Vlorës janë 115 hapësira të lira punësimi.
Prej afro katër vitesh punësimet e reja të profesionistëve të shkencave mjekësore teknike, por edhe të mjekëve në spitale, poliklinika e qendra shëndetësore bëhen nëpërmjet konkurrimeve që zhvillohen në portalin online “Infermier për Shqipërinë”, ku të gjithë të pajisurit me lejen e ushtrimit të profesionit në këto profile, mund të konkurrojnë në dy fazat e përcaktuara (aplikimi me dosje dhe faza e dytë që është testimi i informatizuar që zhvillohet në Qendrën e Shërbimeve të Arsimit). Çdo kandidat që bëhet pjesë e portalit vlerësohet me pikë për secilën fazë konkurrimi. Sipas skemës së përcaktuar në fazën e parë të aplikimit me dosje kandidati vlerësohet rreth arsimimit të kryer, përvojës dhe trajnimeve të lidhura me fushën. Për fazën e parë të aplikimit sigurohen deri në 30 pikë. Ndërsa në fazën e dytë që është “Testimi i informatizuar”, marrin pjesë vetëm kandidatët që kanë kaluar me sukses fazën e parë të vlerësimit me dosje, dhe nëpërmjet testimit çdo kandidat mund të sigurojë deri në 70 pikë. Testi përbëhet nga dy pjesë: Pjesa e parë përmban pyetje rreth akteve ligjore që rregullojnë kujdesin shëndetësor dhe profesionin e infermierit në Republikën e Shqipërisë dhe çështje që lidhen me etikën dhe komunikimin profesional në infermieri, si dhe pjesa e dytë që përmban pyetje rreth kujdesit infermieror bazë dhe në specialitete.
Tabelat
- Vendet e lira në spitalet, poliklinikat dhe qendrat shëndetësore për Rajonin e Tiranës
- Vendet e lira në spitalet, poliklinikat dhe qendrat shëndetësore për Rajonin e Vlorës
- Vendet e lira në spitalet, poliklinikat dhe qendrat shëndetësore për Rajonin e Shkodrës
- :Vendet e lira në spitalet, poliklinikat dhe qendrat shëndetësore për Rajonin e Elbasanit