Partia Demokratike ka ankimuar në Kolegjin Zgjedhor vendimin e KAS për qarkun e Shkodrës. Në padinë e saj, PD kërkon shpalljen e pavlefshmërisë së zgjedhjeve të 25 prillit për shkak të parregullsive të raportuara në KAS.
Disa ditë më parë, Komisioni i Ankimimeve dhe Sanksioneve rrëzoi kërkesën e PD-së për të shpallur pavlefshmëri në zgjedhjet parlamentare të 25 prillit në qarkun e Shkodrës.
Pas ankimimit, Kolegji Zgjedhor ka vendosur ta shqyrtojë të premten më 10 qershor. Më herët Kolegji Zgjedhor ka rrëzuar paditë e PD dhe LSI për shpalljen e pavlefshme të zgjedhjeve të 25 prillit në Vlorë, Gjirokastër dhe Durrës.
Madje trupa gjykuese nuk pranoi as kërkesën e PD për marrjen e provave shtesë për qarkun e Vlorës.
PD dhe LSI vijojnë me ankimimet në Kolegjin Zgjedhor për 9 qarqe ku kërkon prova shtesë nga institucionet dhe shpalljen e pavlefshme të zgjedhjeve në këto zona zgjedhore.
/Priza.al/