Vuçiq “e kupton seriozitetin e situatës”, ka shkruar në Twitter përfaqësuesi i Bashkimit Evropian (BE) për dialogun ndërmjet Beogradit dhe Prishtinës, Miroslav Lajçak, pas takimit me presidentin e Serbisë, Aleksandar Vuçiq.
“Ne patëm një diskutim të hapur dhe të ndershëm për një zgjidhje politike që do të reduktonte tensionet dhe do të mundësonte çmontimin e barrikadave,” shpjegoi Lajçak pas takimit në Beograd.
Të dy zyrtarët biseduan në Beograd. Pas takimit dypalësh, takimit iu bashkua edhe zëvendësndihmës sekretari amerikan i Shtetit, Gabriel Escobar (Escobar).
Në një intervistë për N1 pas takimit, ai tha se ka progres në negociatat ndërmjet Beogradit dhe Prishtinës, prandaj edhe arsye për optimizëm.
“Dua të them se ne nuk kemi nevojë vetëm për një zgjidhje të kësaj krize aktuale, ne kemi nevojë për një zgjidhje të qëndrueshme në kontekstin e situatës rajonale. Ne duam ta kthejmë këtë krizë në një mundësi jo vetëm për Serbinë dhe Kosovën, por edhe për gjithë rajonin”, tha Eskobar.
Pas takimit ka folur edhe presidenti i Serbisë, i cili shkurtimisht në Instagram ka bërë të ditur se ka pasur një bisedë “të ndershme dhe korrekte” me zyrtarë të BE-së dhe SHBA-së.
Me Escobar është takuar edhe kryeministrja e Serbisë, Ana Brnabiq.
Me atë rast ajo theksoi “gatishmërinë e plotë të Beogradit për të vazhduar dialogun me Prishtinën”, njoftuan nga kabineti i saj.
Ajo që ai e konsideron vendimtare për vazhdimin e dialogut është zbatimi i marrëveshjeve tashmë të nënshkruara dhe zbatimi i tyre në terren, para së gjithash kur bëhet fjalë për formimin e Bashkësisë së Komunave Serbe në Kosovë, thuhet në njoftim.
I continued my mission in Belgrade today to meet with @predsednikrs @avucic. We had an open and honest discussion on a political solution that would lower tensions and allow for dismantling of barricades. He understands the seriousness of the situation. pic.twitter.com/Le6HDYThx5
— Miroslav Lajčák (@MiroslavLajcak) December 14, 2022
Pas takimit me Escobarin, nga kabineti i ministrit të Punëve të Jashtme të Serbisë, Ivica Daçiq, u njoftua se i dërguari i posaçëm amerikan shprehu mirëkuptimin e tij për qëndrimin e Beogradit dhe premtoi se pala amerikane do të bëjë përpjekje shtesë në mbështetje të gjetjes së një zgjidhje për situatën aktuale.
Vizita e të dërguarve të posaçëm të Bashkimit Evropian dhe SHBA-së vjen në kohën e rritjes së tensioneve mes Beogradit dhe Prishtinës.
Para takimit me ta, presidenti i Serbisë përmes një video-mesazhi në Instagram ka pyetur “partnerët perëndimorë nëse do të respektojnë marrëveshjet që i kanë bërë vetë”.
Vuçiq shtoi se ai “i kërkoi Perëndimit t’i tregonte se cilin nga pesë apo gjashtë dokumentet e rëndësishëm duan të respektojnë”.