Tomori është gati t’ia fillojë nga e para dhe synimi është gjithmonë i njëjtë: të fitojë sërish me kuqezinjtë. Që nga kampi i tij stërvitor në Dubai, qendërmbrojtësi i Milanit foli për vitin 2022 me “Djallin”:
“Ka qenë një vit i mrekullueshëm. Ne fituam titullin dhe mendoj se jam përmirësuar si lojtar. Ta rifitojmë titullin do të jetë gjëja më e vështirë, sezonin e kaluar pakkush mendoi se do t’ia dilnim.
Tani kemi titullin në gjoks dhe kur skuadrat përballen me ne, ndryshojnë mënyrën e tyre të lojës. Duhet të përmirësojmë mentalitetin dhe të rrisim nivelin e lojës si ekipore, ashtu edhe individuale. Duam të fitojmë sërish, por do të jetë më e vështirë se sezonin e kaluar”.
Mosthirrja e Southgate për Kupën e Botës në Katar mbetet e meta më e madhe e këtij viti për mbrojtësin: “Unë jam ende i zhgënjyer, por këto gjëra ekzistojnë në futboll. Duhet të vazhdoj të punoj, po qëndroj i fokusuar te Milani. Pastaj do të shohim se si do të shkojë në të ardhmen me kombëtaren angleze”.
Qendërmbrojtësi i kuqezinjve është frymëzuar nga mbrojtësit e mëdhenj të Milanit të së kaluarës. Tomori nuk ka dyshime se cili është më i miri ndonjëherë: “Paolo Maldini luajti për shumë vite dhe fitoi shumë trofe.
Gjithsesi, ka edhe mbrojtës të tjerë që më pëlqejnë, si Cannavaro, Nesta apo Stam. Sot vlerësoj Kim, Skriniar, Bonucci, Chiellini, Bremer. Kur i shikoj, ndjej se dua të përmirësohem”.