Festat e fundvitit, Veliaj shërben drekën për njerëzit në nevojë: Tirana një qytet solidar, të ndihmomë më shumë njëri-tjetrin

Kryetari i Bashkisë së Tiranës, Erion Veliaj, dhe përfaqësues të Vëllazërisë Ungjillore Shqiptare (VUSH) zgjodhën Qendrën Komunitare Shkozë për të shërbyer një drekë për njerëzit në nevojë, frekuentues të kësaj qendre. Veliaj tha se Tirana e ka treguar gjithmonë se është një qytet solidar dhe u vjen në ndihmë çdokujt që është në nevojë.

“Gjatë periudhës së festave do të jemi në të gjitha qendrat tona sociale, së bashku me drejtuesit e komuniteteve të besimit, për të treguar se kur vjen puna për të ndihmuar njerëzit në nevojë, për të qenë më solidarë me njëri-tjetrin, ne jemi gjithmonë bashkë. Patjetër, ne krenohemi që jemi Kryeqyteti Europian i Rinisë dhe i Sportit, por ajo do të doja që Tirana të jetë edhe qyteti me më shumë solidaritet, ku njerëzit bëjnë për njëri-tjetrin, ku njerëzit e ndihmojnë njëri-tjetrin”, tha ai.

Kryebashkiaku u bëri thirrje qytetarëve, dhe veçanërisht të rinjve, që të japin kontributin e tyre për të qenë pranë atyre që janë në vështirësi. “Ne mund të kemi inflacion lufte dhe rritje çmimesh, si kjo që po kalojmë sot, por s’mund të kemi ‘inflacion marrëdhëniesh njerëzore’. Ne duhet t’i përkushtohemi njëri-tjetrit duke i thënë një fjalë të mirë, apo me një paketë ushqimore. Kryetari i bashkisë e di ku ndodhen qendrat sociale, di edhe kush është me ndihmë ekonomike, por nuk njeh këdo në çdo pallat dhe rrugë, ama secili prej banorëve, e di kush është njeriu në nevojë në komunitetin e tij. Ndaj, sikur secili të japë një orë, të shërbejë një vakt, të ndihmojë një person në komunitetin e tij, Tirana jonë do të jetë jo vetëm qyteti më i madh dhe më i bukur, por do jetë edhe qyteti më i mire. Kjo është më e rëndësishmja”, deklaroi Veliaj.

Ai u shpreh se kjo periudhë festash është një mundësi për të ofruar mbështetje. Veliaj theksoi se gjithmonë e më shumë kemi nevojë, të ndërtojmë struktura të forta në shoqëri. “Festat duan shumë dashuri. Është shumë e rëndësishme që të ndihmojmë njëri-tjetrin, t’i gjendemi njëri-tjetrit. Ne sot kemi kaluar shumë sfida, kaluam tërmetin, por unë besoj se shkatërrimi më i madh që po i ndodh shoqërisë sonë është kur ne humbasim marrëdhëniet me njëri-tjetrin. Është vetëm vendim mes nesh që të rrimë me njëri-tjetrin, të ndërtojmë struktura të forta dhe t’i bëjmë ballë jo vetëm tërmeteve fizike, por edhe tërmeteve të shoqërisë”, tha ai.

Prej shtatë vitesh, Bashkia e Tiranës i ka kushtuar një vëmendje të veçantë mbështetjes së shtresave në nevojë, duke ofruar jo vetëm një vakt të ngrohtë në mensat e saj sociale të hapura në të gjithë qytetin, por duke ofruar edhe programe të ndryshme sociale.

o.j/dita

Share This Article
Leave a comment

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *