Arkitektë, urbanistë dhe përfaqësues të industrisë imobiliare u bënë bashkë sot, për të diskutuar mbi të ardhmen e ndërtimit në Tiranë dhe vizionin e zhvillimit të qëndrueshëm të kryeqytetin shqiptar.
Kryetari i Bashkisë së Tiranës, Erion Veliaj, i cili mori pjesë në këtë tryezë diskutimi, u shpreh se Tirana rritet çdo vit me gati 25-30 mijë banorë të rinj, kurse çështja e “kullave” në kryeqytet është një mit i krijuar nga ato forca politike, të cilat takimet e tyre i zhvillojnë në këto godina.
“Një nga mitet në Tiranë është kur thonë ‘na mbytën kullat’. Por, nëse sjellim përkufizimin se çfarë është kullë, Tirana ka vetëm 10 të tilla. Pra, nuk po flasim për mijëra kulla, po flasim për 10 kulla. Shumica e atyre që flasin kundër tyre në televizor, të cilët nuk janë as urbanistë, as inxhinierë, as njerëz të fushës, flasin me një ekspertizë të jashtëzakonshme për gjëra që as i kuptojnë fare. Janë po të njëjtët njerëz që thonë se vaksina ka çip, janë të njëjtët njerëz që flasin me shumë ekspertizë se toka është e sheshtë dhe jo e rrumbullakët, të njëjtët njerëz flasin edhe për kullat. Madje, partitë politike që kryesisht sulmojnë kullat, takohen këtu ku jemi ne sot, që është kulla e parë e Tiranës. Do të thotë se këtu ka një miks hipokrizie, në përmasa eksponenciale, thuajse lapidar, e cila mendoj se duhet adresuar”, tha Veliaj.
Kryebashkiaku u shpreh se në punën e saj, Bashkia e Tiranës ka kthyer shumë hapësira në funksion të qytetarëve, që më parë ishin në përdorim nga privati. Teksa renditi disa prej transformimeve të rëndësishme që janë kryer në këto shtatë vite, Veliaj shtoi se fokusi duhet të jetë paja që do i lihet qytetit dhe jo prodhimi i histerisë së radhës.
“Kur këta thonë ‘betonizimi, betonizimi, betonizimi’, e para e punës, asnjë nuk ka ndërtuar në hapësirë publike, asnjë. Hapësira te “7 Xhuxhat” ishte private, e mori bashkia dhe bëri parking nëntokësor poshtë dhe kënd lodrash lart. Edhe pishinat te Aquadromi i mori bashkia dhe i modernizoi. Aty i zhvillon garat Federata e Notit, ndërkohë u bënë edhe fushat e futbollit. Sa për Kopshtin Zoologjik, ballkonet e lokaleve vinin deri tek sqepi i mjelmës. Kurse sot, Kopshti Zoologjik i është kthyer bashkisë. Të njëjtën gjë duam të bëjmë edhe me Kopshtin Botanik. Pazari i Ri, miu kalonte serbes, ishte ai bosi i pazarit. Sot është një realitet krejt tjetër. Pra, pyetja është: do bëjmë histeri apo do bëjmë histori? Unë besoj se kush merret me urbanistikë, me real estate, me arkitekturë, duhet të mendojë si do bëjmë historinë dhe do lëmë atë që quhet ‘paja e qytetit tonë’ dhe jo si do prodhojmë histerinë e radhës, me parti që shajnë kullat dhe takohen vetëm nëpër kulla me njëri-tjetrin”, deklaroi Veliaj.
o.j/dita