Një “prank” (shaka) ka ndezur debat në shtëpinë e Big Brother VIP Kosova. Alisa, mblodhi të gjithë banorët në tavolinë për t’u dhënë një lajm të rëndësishëm. Ajo u tha se ishte shtatzënë dhe pak minuta më vonë, shpjegoi se e gjitha ishte thjesht një “prank”.
Shakaja e çiftit zgjati pak, por Gjon Karrica (Lugati) nuk e priti aspak mirë.
“Është shaka me nivel 0.0 shije. Nuk bëhen shaka me vdekje dhe lindje. I urrej njerëzit që duan të bëjnë gjithçka për pak vëmendje”, u shpreh ai.
Kur bëhet fjalë për situata për të cilat mund të bëjmë ose jo shaka, mendimet mund të jenë shumë relative. Prej vitesh, YouTubers të ndryshëm i bëjnë prank partnerëve se janë shtatzënë. Të thuash se je shtatzënë – përdoret akoma edhe si shaka 1 prilli.
Megjithatë, fakti se kjo shaka vazhdon të bëhet, nuk do të thotë se duhet. Ka disa arsye për këtë, por më e rëndësishmja është për të treguar një shenjë respekti për të afërmit (apo në këtë rast gjithë audiencën) që ka humbur një fëmijë, ose që nuk mund të bëjë fëmijë.
Shaka të tilla mund të jenë shumë të dhimbshme për ta. Për më tepër, ne nuk e dimë kurrë se cilët njerëz kanë përjetuar aborte apo kanë probleme me infertilitetin, dhe shakaja mund t’u drejtohet atyre edhe pse jo qëllimisht.
Ndonëse, ideja pas prank-ut të çifit me siguri nuk ka patur asnjë notë dashakeqësie, do të ishte mirë që të kishte më shumë ndërgjegjësim për të tilla shaka.