Këngëtarja Kehlani ka folur mbi një ngjarje që i ka ndodhur në një nga shfaqjet e saj, ku dikush e ka ngacmuar seksualisht.
Ajo ndau me ndjekësit historinë në Instastory dhe tha se sapo përfundoi turin e organizuar në Europë, ndërsa tregoi edhe historinë e saj.
“Kam bërë disa video radhazi dhe e kam fshirë, pasi nuk dua që të shfaqem kaq e zemëruar, e mërzitur, apo duke qarë. Nuk më intereson se sa seksuale e konsideroni muzikën, performancat, argëtimin me miqtë e mi duke kërcyer nëpër klube, apo mua vetë…Kjo nuk i jep askujt të drejtën të kalojë një kufi si vendosja e duarve mbi fundin tim, për të më tërhequr të brendshmet dhe për të më prekur organet gjenitale”, tha artistja, mëse e prekur nga ngjarja.
Ajo shtoi se kjo ndodhi ndërsa po më shoqëronin pas përfundimit të turit. “Kjo më shkaktoi neveri. Si viktimë e sulmit seksual, jam pafundësisht e tronditur dhe e shokuar”, shtoi këngëtarja.
Nuk është hera e parë që Kehlani ka folur për sulmet seksuale, duke ndarë edhe përvojën e përdhunimit, në podkastin “Sunday Gems”.
Muzikantja është një mbështetëse e zjarrtë e viktimave të sulmeve seksuale, veçanërisht atyre që kryhen karshi grave. Në një intervistë për “Billboard”, ajo ka thënë: “Ne jemi gra, jemi jeta, burimi i jetës. Kjo mund të jetë e frikshme për njerëzit dhe mund të sjellë gjëra të tmerrshme, por mos harroni nga kemi ardhur dhe kush jemi. Mos harroni fuqitë tuaja, mos lejoni asnjë traumë t’ua marrë fuqinë”.