SPAK ka mbyllur hetimet për Altin Hajrin, pronarin e kompleksit “Golden” në Shijak, ku u mbajt dhe me pas u zhduk trupi i Jani Prengës.
Njoftimi
Prokuroria e Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar në vazhdimësinë e hetimeve të kryera në lidhje me procedimin penal nr. 62, të vitit 2020, për të cilën është kërkuar dërgimi më parë për gjykim pranë Gjykatës së Posaçme të Shkallës së Parë Për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar i të pandehurve Dritan Rexhepi, Gentjan Funiqi, Martin Bleta, Korado Keshteja, Artan Doçaj, Aldo Majnishta dhe Geraldo Martini, ka përfunduar hetimet dhe ka kërkuar dërgimin e çështjes për gjykim edhe për të pandehurin Altin Hajri akuzuar për kryerjen e veprave penale :
“Rrëmbim apo mbajtje peng e personit” kur është shkaktuar vdekja parashikuar nga nenet 109 paragrafi i tretë dhe 28/4 të Kodit Penal;
“Mbajtje pa leje e armëve luftarake”, parashikuar nga nenet 278 paragrafi i parë dhe 28/4 i Kodit Penal;
“Fshehja dhe asgjësimi i kufomës”, parashikuar nga nenet 303 dhe 28/4 i Kodit Penal;
“Grupi i strukturuar kriminal”, parashikuar nga neni 333a/2 i Kodit Penal;
“Kryerja e veprave penale nga organizata kriminale dhe grupi i strukturuar kriminal”, parashikuar nga neni 334/1 i Kodit Penal.
I pandehuri Altin Hajri, pronar i kompleksit “Golden” ndodhur në Shijak akuzohet se është pjesëmarrës në grupin e strukturuar kriminal që ka kryer rrëmbimin e shtetasit Jan Prenga, ngjarje e ndodhur datën 17.01.2020 në Kamzë, Tiranë
Hetimet vazhdojnë në lidhje me identifikimin, grumbullimin, si dhe sigurimin e provave për personat e tjerë që janë të përfshirë në këtë ngjarje.