Miliarderi Elon Musk, ka deklaruar se llogaritë e disa gazetarëve që ai i pezulloi nga kompania e tij e mediave sociale, Twitter, do të rikthehen.
Gazetarët e ‘New York Times’, ‘CNN’ dhe ‘Washington Post’ ishin në mesin e atyre që u bllokuan llogaritë e tyre, pasi Musk u akuzua për ndarjen e të dhënave të vendndodhjes rreth tij.
Por mes kritikave të shumta, ai pyeti përdoruesit e Twitter se çfarë të bënin më pas. 59% e 3.6 milionëve që morën pjesë votuan për heqjen e ndalimit menjëherë.
“Njerëzit kanë folur. Llogarive që kanë kundërshtuar vendndodhjen time do t’u hiqet pezullimi tani,” shkroi ai në Twitter. Ky vendim i kompanisë u dënua nga BE dhe OKB.
“Liria e medias nuk është një lodër. Shtypi i lirë është gur themeli i shoqërive demokratike dhe një mjet kyç në luftën kundër dezinformatave të dëmshme”, tha nënsekretarja e përgjithshme e OKB-së Melissa Fleming.
Komisionerja e BE-së Vera Jourova e kishte kërcënuar Twitter-in me sanksione sipas Aktit të ri të Shërbimeve Dixhitale të Evropës, e cila tha se kërkon “respektimin e lirisë së medias dhe të drejtave themelore”.
Megjithatë llogaria e Jack Sweeney mbetet e pezulluar pasi ai përdori informacione të disponueshme publikisht të gjurmimit të fluturimeve për të postuar në Twitter sa herë që avioni i Musk ngrihej dhe ulej.
Politika e privatësisë së Twiitter u përditësua gjithashtu për të thënë se përdoruesit “nuk mund të publikojnë ose postojnë informacione private të njerëzve të tjerë pa autorizimin dhe lejen e tyre. Që kur mori drejtimin në Twitter, Musk ka bërë një sërë ndryshimesh në praktikat e tij të moderimit.
Ai ka rivendosur një sërë llogarish të ndaluara më parë, duke përfshirë profilin e ish-presidentit Donald Trump, i cili u ndalua pas kryengritjes së 6 Janarit në Kapitolin e SHBA. CEO i Tesla ka shkurtuar gjithashtu stafin e kompanisë së mediave sociale dhe thuhet se ka ndaluar pagesën e qirasë për disa nga zyrat e Twitter, duke përfshirë selinë e kompanisë në San Francisko, sipas New York Times.
Ndërkaq, së fundmi ekipi i Elon Musk ka kontaktuar investitorët për të mbledhur fonde të reja për platformën e tij e cila ndodhet në vështirësi për shkak të të ardhurave të ulëta.