Teksa pritet të startojë dhe edicioni i dytë i “Big Brother Albania”, shumë emra personazhesh janë përfolur se do të jenë pjesë e spektaklit.
Arbana Osmani ka zbuluar se edicioni i dytë i “Big Brother VIP” do të nisë së shpejti dhe se ndryshe nga viti i kaluar, këtë vit ka konkurrencë për të qenë pjesë e “reality show”-t.
Shumë emra kanë nisur të përfliten se do të jenë pjesë e spektaklit, por një pjesë e madhe e tyre nuk kanë reaguar ende. “Panorama Plus” ka mësuar se një prej tyre është aktorja e njohur Olta Gixhari.
Duket se aktorja ka pranuar ftesën nga produksioni dhe pritet të rikthehet në Shqipëri për t’u bërë gati për spektaklin.
Prej dy vitesh tashmë, Olta është shpërngulur në Spanjë ku po jeton me partnerin dhe djalin e tyre, Amar. Olta e ka treguar dhe më parë se arsyeja e zhvendosjes në Spanjë ishte partneri i saj, identitetin e të cilit nuk e ka zbuluar kurrë për publikun dhe pse është goxha aktive në rrjetet sociale dhe poston foto krahë tij.
Aktorja është shprehur më parë se nuk e ka pasur kurrë problem të dalë në publik me të, por është ai i cili nuk ka dëshirë të shfaqet, ndërsa ka zbuluar vetëm emrin e tij, Dori.
“Unë emrin mund ta them, por nuk është se më kanë pyetur njeri se si e ka emrin partneri im, por zakonisht më kanë pyetur përse nuk e tregon fytyrën e tij. Partneri im quhet Dori, ai nuk është person publik dhe nuk ka dëshirë të jetë person publik. Unë e nxjerr në foto me gjithë qejf, nuk kam asnjë problem, por ai nuk dëshiron, kam përshtypjen që sa t’i dalë turpi për pak kohë”, tha Gixhari gjatë një interviste disa kohë më parë.
Mes të tjerash ajo foli edhe për Amarin, duke thënë se është një fëmijë indiferent dhe i lidhur më shumë me të atin se me të, ndonëse në pamje Olta tha se është një mix i të dyve. Ajo tha se ende nuk e di se kur do publikojë foto të plota të të voglit në rrjetet sociale pasi partneri nuk është shumë pro. Megjithatë, Olta poston foto të shpeshta me të birin, ndonëse duke ia fshehur portretin.
“Amar është mix yni, është natyrë indifrente. Unë shkoj në shtëpi dhe hap krahët ta përqafoj, ai del jashtë. Unë iki, atij nuk i bën fare përshtypje. Është tipi im, është fëmijë i pavarur. E kam futur në kopsht shumë të vogël, mendoj se kjo e ka bërë të pavarur. Unë jam mami posesive, por e kam të brendshme, arrij ta kontrolloj se e di që është gabim. Amari është më shumë i dhënë pas të atit sesa pas meje. Nuk e kuptoj pse. Nuk e kam publikuar në rrjetet sociale me portret dhe nuk e di kur do ta publikoj. Nuk e kam problem, por nuk do bashkëshorti. Është fëmijë shumë i bukur, jo se e kam bërë unë”,zbuloi aktorja.
E ftuar disa kohë më parë në “Goca dhe Gra”, Olta zbuloi dhe planet e së ardhmes. Aktorja shprehu dëshirën për të pasur një fëmijë tjetër dhe të organizojë një dasmë.
“Uroj ta kem vajzë, por kam plan të bëj edhe një fëmijë tjetër. Dasmën nuk e kam menduar. Edhe kur e mendoj veten nuse, e mendoj me shalë jashtë gjithmonë”, u shpreh ajo.
Gjatë intervistës, Olta pranoi të përshkruante tiparet e tij, ndërsa një vajzë e talentuar në studio pikturoi portretin, aktorja tha se i ngjan të dashurit të saj.
“Sytë i ka shumë të bukur. I ka kafe, si me bisht. Sytë kanë qenë gjëja e parë që më kanë goditur tek ai. Ka hundë shumë të rregullt, buzët i ka të trasha, por i fsheh. Ka pak mjekër, nuk është i rrumbullakët në fytyrë. Nuk është as shumë i gjatë. Është shumë i qeshur”, tha ajo asokohe.
Një ndër emrat që u përfol së fundmi se do të ishte pjesë e “BBVIP”, ishte dhe Megi Pojani, e cila reagoi gjatë intervistës në “Goca dhe gra”, ku i hodhi poshtë spekulimet se ka pranuar ftesën për të hyrë në lojë.
Ajo u shpreh se nuk do të futet në program dhe se “Dancing With The Stars” e ka stresuar mjaftueshëm.
“Nuk e di pse dalin gjithmonë, por jo nuk kam asnjë plan për t’u futur në ‘Big Brother VIP’”, u shpreh Megi.
Aktualisht, Megi është pjesë e “Dancing With the Stars”, ku dhe është ndër emrat më të spikatur të këtij edicioni dhe ishte konkurrentja e parë që arriti të kualifikohej për në gjysmëfinale.
Nga ana tjetër, edhe Deborah Keçi është ndër konkurrentet e përfolura që pas “Dancing” do të provojë edhe emocionet e “Big Brother”. Ndërkohë, produksioni ka ftuar edhe 2 balerinë për të marrë pjesë në këtë format, por edhe nuk është konfirmuar prania e tyre në “Big Brother VIP 2”.
Ndërkohë, këtë vit, në “Big Brother” pritet të jetë edhe Kejvina Kthella. Vetë modelja u shpreh e gatshme për t’u bërë pjesë e lojës. Ndërkohë, një emër tjetër i përfolur është edhe Kiara Tito, që pritet të jetë konkurrente e lojës.
Një emër jo shumë i njohur që është përfolur është edhe modelja Jori Delli. Modelja është një influencuese që jeton në Itali.
Madje, duket se promovimi për Jorin ka nisur nga “Top Channel”, i cili së fundmi ka qenë i ftuar në “Top Arena”. Jori është shoqe e ngushtë edhe me Beniada Nishanin, e cila është gjithashtu një modele e njohur në Itali, por ishte shumë pak e njohur në Shqipëri derisa hyri në “Big Brother Vip Albania”.
Ndërkohë, edhe Lei Kraja do t’i bashkohet lojës. Moderatorja sportive është ndër imazhet më të pëlqyera në ekran për sensualitetin e saj, por edhe për natyrën e drejtpërdrejtë, ndaj me shumë interes po pritet edhe prania e saj në këtë format. Ndërkohë vetë moderatorja, Arbana Osmani, ka zbuluar detaje rreth konkurrentëve të këtij viti.
Teksa u pyet nëse mendon se do të ketë një dyshe “rivale” si Iliri dhe Donaldi, ajo tha se shpreson që jo.
“Ndryshe nga viti i kaluar janë personazhe më të njohur dhe kanë karriera më aktive dhe më të gjata. Ka një konkurrencë shumë më të madhe se kush do të hyjë, nga viti që shkoi. Kemi gati një edicion të ri me një kast të shkëlqyer që mbase do t’i lënë në hije ata të edicionit të kaluar. Të gjithë ata që kanë marrë pjesë janë parë në 360 gradë, në të mirat dhe dritëhijet e tyre, por kanë sjellë te shikuesit më shumë të mira sesa skandale, personazhet ishin me të vërtetë shumë simpatikë. Ky antagonizmi Ilir Donald tërhoqi shumë, tifozëritë u krijuan.‘ Big Brother’, edicioni i dytë VIP, do të nisë brenda këtij viti, është përzgjedhur kasti.
Nuk kemi kërkuar gjëra të veçanta, të çuditshme. Kemi kërkuar personazhe dhe karaktere interesantë, të këndshëm, pas së cilëve njerëzit të afeksionohen. Çfarë ndodhi me ‘Big Brother’-in vjet ishte se njerëzit i pëlqenin personazhet e ‘Big Brother’-it, u bënë fansa të tyre, nuk është se e ndiqnin ‘Big Brother’-in për të parë sherre dhe skandale, këtë gjë kemi kërkuar prapë. Ndryshe nga viti i kaluar, janë personazhe më të njohur dhe kanë karriera, nuk po them më të mira, por shumë më aktive dhe më të gjata. Ka një konkurrencë shumë më të madhe se kush do të hyjë. Me sa duket, kemi bërë një punë shumë të mirë edicionin e kaluar”, tha Arbana Osmani.
Referuar pritshmërive, personazhet e këtij viti ndoshta do të lënë në hije ata të vitit të kaluar, por kjo mbetet për t’u parë. Arbana nuk bëri publike datën e nisjes së spektaklit, por “reality show” pritet të nisë me 26 dhjetor dhe gjithashtu këtë vit do të jetë dy herë në javë, të martë e të premte.
Një tjetër emër shumë i përfolur për t’u bërë pjesë e “Big Brother” ishte edhe Roza Lati. Mirëpo, pas lajmeve reagoi dhe moderatorja. Roza Lati publikoi një video në rrjetin e saj social në “TikTok”, ku zbuloi se ajo nuk ka marrë asnjë ftesë nga produksioni i “Big Brother VIP” për të qenë pjesë e këtij “reality show”.
Më tej, ajo tha se nuk do të jetë pjesë e këtij programi, sepse kështu është puna, ndërsa falënderoi edhe Arbana Osmanin, duke mos dhënë asnjë detaj më tepër.
“Dua t’ju lajmëroj që nuk kam marrë ftesë, nuk jam në dijeni dhe nëse kanë shkruar portalet që i ka thënë ‘po’ spektaklit të madh, unë nuk di kur është spektakli i madh. Kaq kisha për të thënë. Nuk do jem pjesë e ‘Big Brother VIP 2’, sepse kështu është puna. Faleminderit shumë Arbana. Faleminderit”, ka thënë Roza Lati në videon e publikuar në “TikTok”.
Por, në fakt, Roza ka marrë ftesë për të dytin vit radhazi për t’u bërë pjesë e formatit. Por, e angazhuar me emisionin e saj, ajo ka thënë “jo” herën e parë. Ndërkaq këtë vit, Roza Lati ndonëse u shpreh se nuk kishte marrë ftesë, pritet që të jetë prezente, ndoshta jo që në nisje të spektaklit, por pas disa javësh.
Reagimi i saj në rrjetet sociale ngjason pak me atë të Getinjos, që ndonëse u konfirmua se do të ishte pjesë e “Big Brother Vip Kosova”, e përgënjeshtroi këtë lajm në rrjetet e tij sociale. Ndërkaq, një tjetër personazh që pritet t’i bashkohet kastit është edhe Antonio Kodrinaj, aktori protagonist në filmin “Sofia”.
Aktori prej vitesh jeton në SHBA dhe tashmë po korr sukses edhe në vendin tonë. Këtë herë, Antonio pritet të zbulojë më shumë rreth karakterit dhe jetës së tij në “reality show” më të ndjekur.
Këta janë vetëm disa prej artistëve që do të bëhen protagonistë për 100 ditë të “Big Brother Vip Albania”. E për të mësuar emra të rinj apo dhe detaje të reja rreth këtij edicioni, do të na duhet të presim dhe disa javë.