Komiteti Olimpik Ndërkombëtar (IOC) kërkon t’i hapë dyert Rusisë për sportin, përfshirë këtu olimpiadën e ardhshme “Paris 2024” dhe Lojërat Dimërore “Milano-Kortina 2026”. Është vetë presidenti i IOC, Tomas Bah, ai që po u bën presion federatave për t’u mundësuar atletëve rusë dhe bjellorusë që të garojnë në nivelet më të larta të sportit, pas pezullimit të marrë disa muaj më parë për shkak të pushtimit në Ukrainë.
Duket se në krah të kreut të Komitetit Olimpik Ndërkombëtar ka dalë edhe presidenti i Francës, Emanuel Makron. Kjo hapje nga IOC ndaj Rusisë, ashtu sikurse edhe pritej, nuk i ka pëlqyer aspak presidentit Volodimir Zelenski.
“Dua t’u kujtoj se gjatë konfliktit, që prej kohës kur jemi pushtuar, kanë vdekur 184 atletë ukrainas”, është shprehur presidenti i Ukrainës.
“Rusia e ka përdorur gjithmonë sportin si instrument propagande. Ideja që ky shtet së bashku me Bjellorusinë të lejohen për të garuar në nivel ndërkombëtar më trondit. E vetmja përgjigje serioze që i duhet dhënë një shteti terrorist është izolimi edhe në kontekstin sportiv”, ka deklaruar Zelenski.
Mësohet se Tomas Bah dhe presidenti ukrainas kanë pasur gjithashtu edhe një kontakt telefonik, edhe pse të dy duket se u kanë qëndruar pozicioneve të kundërta për hapjen e dritës jeshile për Rusinë.
Kujtojmë se vetëm disa ditë më parë edhe Komiteti Olimpik i Shteteve të Bashkuara të Amerikës ishte shprehur në favor të lejimit të rusëve dhe bjellorusëve në Lojërat Olimpike “Paris 2024”, por pa flamujt e tyre kombëtarë.