Partia Demokratike deklaroi sot se qeveria e Edi Ramës është shkaktare e ikjes masive të shqiptarëve.
Sekretari për Emigracionin dhe Diasporën, Indrit Hoxha tha se me shpopullim Rama kërkon të mbajë peng narkoshtetin që e ka krijuar me vetëdije dhe kjo hedh poshtë retorikën e tij manipuluese se “krimin shqiptarët e gjetën në Europë dhe nuk e shpikën vetë ata”.
Sipas PD, fundi i tij do të jetë nga vota e emigrantëve
Deklaratë e Sekretarit për Emigracionin dhe Diasporën, Indrit Hoxha
Sot në ditën e Emigracionit dhe Diasorës, Edi Rama doli me një fjalim siç i ka hije atij të jetë, manipulues në fakte.
Ai nuk tha asnjë fjalë për 744 mijë shqiptarë të larguar prej nisjes së qeverisjes së tij në 9 vite.
Ai nuk tha asnjë fjalë për të rinjtë që nuk kanë asnjë perspektivë në vendin e tyre dhe fatkeqësisht alternativë shohin largimin me gomone duke rrezikuar jetën.
Edi Rama nuk ka se si të flasë për të vërtetën sepse ai e di dhe është i vetëdijshëm që interesi i vetëm i tij është shpopullimi.
Me shpopullim ai kërkon të mbajë peng narkoshtetin që e ka krijuar me vetëdije dhe kjo hedh poshtë retorikën e tij manipuluese se “krimin shqiptarët e gjetën në Europë dhe nuk e shpikën vetë ata”.
Edi Rama në fjalimin e Këshillit Koordinues të Diasporës nuk pati kurajën të thotë një fakt të vetëm se çfarë ka bërë kjo qeveri për emigrantët. Ai nuk ma se si ta thotë për sa kohë ambasadat janë kthyer në parazite dhe seksere të qeverisë.
Emigrantët më shumë se kushdo e dinë se me qeverinë e Ramës të drejtat e tyre nuk përfillen më.
Ndaj i kujtojmë sot vendimin e Gjykatës Kushtetuese që i jep të drejtën çdo emigranti të ushtrojë të drejtën e votës kudo ku është në botë.
Këtë fakt Rama nuk e përmend sepse ai e di, me votën e emigrantëve ai është i humbur.
Kur përmend remitancat e emigrantëve, Rama duhet të ulë kokën dhe të mos hyjë në xhepat e shqiptarëve, sepse ato remitanca vijnë nga puna e ndershme e tyre në botë, ndryshe nga vjedhja që i bën me firmë ai shqiptarëve.
Shqiptarëve të emigracionit u ka bërë një ‘dhuratë’: atyre që punojnë me djersë e ndershmëri ASGJË, atyre që punojnë qindin në punë të pista AMNISTI FISKALE.
Ky është Edi Rama, një proponent sistematik i shpopullimit, një oponent klasik i votës se lirë!