Dy planetë të largët thuhet se janë të përbërë tërësisht nga uji, kjo sipas një studimi të bërë nga teleskopët e NASA, Hubble dhe Spitzer.
Të ashtuquajturat “botët ujore” sillen rreth një ylli xhuxh të kuq, i cili është ylli më i vogël dhe më i ftohtë, thuhet në një deklaratë për media të lëshuar nga Laboratori Jet Propulsion i NASA-s.
Planetët ujorë gjenden rreth 218 vite-dritë larg në yllësin Lyra, thotë NASA. Dhe ata janë “ndryshe nga çdo planet i gjetur në sistemin tonë diellor”, tha agjencia, raporton CNN.
Zbulimi se planetët ka të ngjarë të përbëhen kryesisht nga uji vjen nga një studim i botuar në revistën Nature Astronomy të enjten.
Një ekip hulumtues i udhëhequr nga Caroline Piaulet, një studente doktorature në Institutin për Kërkime mbi Ekzoplanetët e Universitetit të Montrealit, përdori teleskopët hapësinorë Hubble dhe Spitzer të NASA-s për të vëzhguar sistemin planetar të largët.
Sistemi planetar që ata studiuan quhet Kepler-138 sepse ndodhet brenda fushës së shikimit të anijes kozmike Kepler të NASA-s.
Studiuesit kanë ditur për ekzistencën e tre ekzoplaneteve – termi për planetët jashtë sistemit tonë diellor – brenda sistemit Kepler-138, por sapo kanë zbuluar se dy prej tyre ka të ngjarë të jenë bërë nga uji.
Ata gjithashtu zbuluan prova për një planet të katërt që nuk ishte përshkruar më parë.