Vrau Klodian Rashën, Prokuroria: Të dënohet me 20 vjet burg efektivi i ‘Shqiponjave’

Prokuroria e Tiranës ka dhënë ditën e sotme pretencën për Nevaldo Hajdaraj, i cili akuzohet për vrasjen e të riut Klodian Rasha, duke kërkuar një dënim prej 20 vitesh burg.

Ish-efektivi i forcave “Shqiponja” po gjykohet për akuzën e “vrasjes me dashje” të 25-vjeçarit, ngjarje kjo e ndodhur 8 dhjetorin e vitit të kaluar, në kryeqytet. Kujtojmë se pas krimit, Hajdaraj pretendoi se kishte parë një armë në duart e Rashës dhe policia gjeti një pistoletë 200 metra larg vendngjarjes. Mirëpo nga hetimet e kryera tre muaj më pas rezultoi se pistoleta nuk ishte e 25-vjeçarit, pasi nuk kishte asnjë gjurmë që e lidhte me atë. Gjithashtu edhe kamerat e sigurisë të cilat kanë filmuar të gjithë ngjarjen, vërtetojnë se Rasha nuk ishte i armatosur. Kjo bëri që prokuroria të ndryshonte akuzën nga “vrasje në kapërcim të kufijve të mbrojtjes” në “vrasje me dashje”.

Pavarësisht krimit të rëndë, Hajdaraj kërkoi gjykim të shkurtuar, kërkesë kjo e cila u pranua nga  Gjykata e Tiranës. Sot ai përfiton ulje me 1/3 e dënimit duke e çuar në 13 vjet e 4 muaj pretencën e prokurorisë.

Prokurori Ardian Braho nënvizoi rrezikshmërinë e veprës penale dhe rrethanat e kryerjes së saj. Sipas prokurorit, vepra u krye nga një punonjës policie gjatë ushtrimit të detyrës së tij dhe me armën e shërbimit. “I pandehuri e ka konsumuar veprën pa motiv të qenësishëm, pa u ndjerë i rrezikuar dhe gjatë detyrës”, tha Braho. Sipas prokurorisë, Hajdaraj e kishte konstatuar që Rasha nuk kishte armë para se të hapte zjarr drejt tij. Pretendimet e mbrojtjes do të mbahen në seancë më 17 qershor.

Share This Article
Leave a comment

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *