Çfarë pritet tani nga SPAK

 

Nga Bedri Islami

Prokurori Altin Dumani është tani kreu i ri i SPAK-ut. Përmes një votimi të vëzhguar nga të gjithë, edhe nga ndërkobëtarët, ai, me një votë më shumë se sa kandidati tjetër më i afërt, do të drejtojë në tri vitet e ardhshme institucionin më të rëndësishëm të akuzës.

Edhe tri vite me parë është pritur që kreu i ri i kësaj strukture të ishte Dumani. Është pritur jo vetëm në Shqipëri, por edhe jashtë saj. Zgjedhja e papritur e Krajës dëshmoi se, megjithë vlerat e tij, përsëri segmente të caktuara të sistemit të drejtësisë ishin nën kontrollin e politikës.  Tashmë, pritshmëritë do të jenë shumë më të mëdha.

Dumani, thonë, është njeriu i amerikanëve, por kjo, nëse është e vërtetë, përbën vlerë. Do të thotë se, në të njëjtën kohë është edhe njeriu i evropianëve. Dhe nuk ka se si të ndodhë ndryshe: reforma në drejtësi dhe strukturat e reja të ndërtuara nuk kanë qenë as dëshirë dhe as vullnet i klasës sonë politike, e cila, nga halli, u detyrua të ngritë dorën dhe të votojë reformën në drejtësi.

Figura institucionale dhe profesionale e Dumanit është në dobinë e tij. Dosjet e ngritura dhe të kopsitura nga ai, po ashtu, shpesh herë, kanë qenë të duhura, serioze dhe të përgatitura me kujdes. Megjithëse jo gjithnjë të kopsitura. Ka pasur rrjedhje, por kjo i takon një periudhe tjetër, që, sa të bën të shpresosh, aq të nxit të kesh durimin e duhur.

Pak kush do të donte të ishte tani nën “qyrkun” e postit të Dumanit. Nga SPAK pritet shumë, por është arritur pak. Tani ka ardhur koha që të bëhen kalime cilësore, të pa ndodhura, të ketë më në fund ndëshkim ndaj një klase politike që ka zhbërë çdo vlerë.

A do të ketë Dumani fatin e Gledis Nanos, ish drejtorit të përgjithshëm të policisë së shtetit, i cili, po ashtu, njihej si njeriu i amerikanëve? Mund të ndodhë.

Zgjedhja e Dumanit shpresojmë të jetë fillimi i çlirimit të drejtësisë nga politika.

Shtetin nuk e kap vetëm pushteti, e kap edhe opozita, sidomos kur ajo, në kohën e qeverisjes së saj ka promovuar njerëz të caktuar, u ka besuar detyra të rëndësishme, i ka deleguar në poste, ua njeh cepat e pronave dhe të lëshimeve. Veçanërsht një pjesë e asaj opozite që ka në të shkuarën aq shumë mëkate dhe krime, sa që prej kohe duhej të ishte ndëshkuar.

Drejtësinë e kap edhe qeveria. Edhe ajo i ka sigurisht mekanizmat e saj.

Drejtuesi i Foltores, Berisha anatemoi zgjedhjen e Dumanit në postin e tij të ri. Berisha përbën gjithnjë një patate të nxehtë për drejtësinë. I shpallur non grata nga dy shtete anglosaksone, ku korrupsioni madhor është mbi të gjitha, ndoshta më mirë se gjthë të tjerët, ai e di se një pjesë e rëndësishme e dosjes së tij ka ardhur në këtë vend.

Nëse deri tani askush nuk guxoi të marrë përsipër hapjen e saj, kjo nuk do të thotë se nuk do të hapet një ditë. Disa nga prokurorët që janë ne SPAK kanë pasur edhe më heret në duart e tyre dosje që kishin të bënin me familjen Berisha, por, ose i mbyllën, ose i quajtën “aksident teknologjik”, si ndodhi në tregtinë e zezë në Gërdec, ku ishte e kapur dhe fuqiplotë familja Berisha.

Nga ana tjetër, një patate e nxehtë, ajo e inceneratorëve qëndron mbi qeverisjen e tanishme. Dy figura të rëndësishme të bashkëqeverisjes së saj me LSI e Metës tani janë të arrestuar dhe presin gjykimin. Fakte të tjera, të sakta apo jo, rëndojnë edhe mbi figurën e dytë të qeverisjes së deri pak kohëve, Ahmetaj.

A do të ketë zhvillime të tjera? Askush nuk e di. Faktet janë kundërthënëse ; një pjesë e qeverisë dhe e pushtetit lokal ndjehet e qetë, një pjesë tjetër është e trazuar.

E para nga të gjitha për drejtuesin e ri të SPAK është të mbajë institucionin e tij jashtë politikës. Ndikimi, aq më tepër, fuqia e politikës mbi institucionin qendror të akuzës duhet të ketë një fund. Dhe kjo është koha e duhur.

A do të mund ta bëjë këtë kryeprokurori i ri, me mandat të shkurtër 3 vjeçar, apo do të ketë të njëjtën rrjedhë si në tre vitet e kaluara? Periudha “Kraja” kishte goditje, të duhura ose jo, ndaj qeverisjes së tanishme, pa shkuar deri në thellësi të ngjarjeve dhe të asaj që kishte ndodhur në të shkuarën.

Disa nga çështet më të rënda, për fat të keq edhe të përgjakura, ose janë lënë si mbetje teknologjike, ose si gabime të rastësishme. Gërdeci dhe 21 janari nuk u hetuan asnjëherë si duhet, pavarëssht se gjithnjë e më shumë kanë dal fakte dhe gjetje të reja, rënduese mbi çfarë ka ndodhur.

Gërdeci ishte çështje e familjes Berisha, nga i pari tek i fundit. 21 janari ishte e mbetet çështje e pushtetit Berisha, nga urdhëri i parë deri tek urdhëri i fundit.

Të dyja çështjet janë lënë në fabrikimin e tyre, në heshtje, me dënime e gjykimeve qesharake, pa hetuar asnjëherë dy përsonazhet kryesorë të tyre: Berishën e ri dhe Berishën e vjetër. Dhe të tjerët rreth tyre, funksionarë të lartë apo tregtarë vdekje që bënë masakrën e njohur.

Askush nuk kishte burrërinë apo forcën të mos i nënshtrohej goditjes politike të Berishës kryeministër dhe të hetonte mbi Berishën, afarist i gjakut.

Nëse nuk zgjidhen përfundimisht këto dy gjëra nga më të rëndat në postpolitikën moniste, asnjëherë politika nuk do të ketë qetësi dhe asnjëri nga politikanët nuk do të trembet nga ndëshkimi i ligjit.

Është e rëndësishme të jesh në një post të tillë, ku gjithçka, qoftë vlera e institucionit, qoftë gabimet e tij, do të bien mbi shpatullat e kryeprokurorit. Nëse i ke hyrë kësaj rruge duhet të bartësh edhe çfarë ajo të afron. Të mirën dhe të gabuarën, meritën dhe rëndesën e mos kryerjes së detyrës.

Dosje të rëndësishme janë mbi tryezat e SPAK-ut dhe në Byronë e Hetimit. Jo vetëm inceneratorët, por edhe rasti i privatitizmit të kompleksit “Partizani”, ku vjehrri i dhurën dhëndrit, pra së bijës troje ku ndërtohen komplekse banimi dhe fitimet janë dhjetra milionësh dhe askush nuk pyet nga erdhën këto pasuri marramendëse në investime kaq të mëdha; janë dosjet e mbyllura me dhunë të korrusionit të shefit të tanishëm të Partisë së Lirisë, çështja KESH, PPP-të famoze dhe tenderët mashtrues, grabtjet e pronave në bregdet dhe fitimet e oligarkëve në rrugën më të pandershme të mundur.

Pra, është pastrimi i politikës përmes ndëshkimit. Nëse kryeprokurori i ri do të ndjekë “paranë” , atëherë do të shohë edhe atë që nuk deshi ta shohë paraardhësi i tij. Nëse ai do të bëjë pyetjen e thjeshtë: “si u financuan vilat shumëkatëshe, pallatet, ndërtimet e mëdha,  si u rritën tenderët, nga erdhi fuqia e klaneve mafioze që po sundojnë qytete të mëdha, cilat lidhje politike i mbajnë ato në lojë, atëherë shumë shpejt do të ketë edhe përgjigjet e duhura përmes ligjit.

Pritshmëria ndaj tij është e madhe. Koha e shkurtër, çështjet e hapura janë të shumta dhe të mëdha.

 

 

Share This Article
Leave a comment

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *