Altin Dumani u prezantua sot si kreu i ri i Prokurorisë së Posaçme SPAK. Gjatë fjalës së tij, ai ka vlerësuar punën e paraardhësit Arben Kraja duke thënë se i është falënderues për themelet që ngriti në këtë detyrë.
Tre vitet e SPAK, Dumani i ka cilësuar si shumë të vështira, por sipas tij, secili prokuror ka dhënë kontributin e tij për të ngritur një strukturë të fortë për të vënë drejtësinë në vend. Dumani ka premtuar se SPAK tashmë do të kalojë në një fazë tjetër ku lufta do të jetë me agresive ndaj çdo zyrtari të korruptuar dhe ndaj krimit të organizuar.
“Kanë qenë të vështira këtë tre vite por pavarësisht ka pasur secili një kontribut. Pas këtyre viteve SPAK duhet të kalojë në një luftë më agresive ndaj çdo zyrtari të korruptuar dhe krimit të organizuar”
“Kemi detyrimin që SPAK ta bëjmë një institucion ku njerëzit kanë besim. Do të krijojmë kushtet që të ushtroni detyrën në punën tuaj. Do bëj përpjekjet maksimale për çdo shqetësim nga ana e prokurorëve.” tha Dumani.
Për sa i përket strukturës së BKH, Dumani premtoi se do të ketë një bashkëpunim reciprok. Ai tha se bashkë me drejtoreshën Aida Hajna do të zgjidhin problemet që mund të krijohen gjatë rrugës.
“SPAK dhe BKH do karakterizohen me bashkëpunim reciprok. Vlerësoj punën e tyre se janë me ambicie dhe arritje profesionale. Më drejtoreshën e BKH u premtoj se do tu japim zgjidhje punëve”