FOTOT/ Ministret e Ramës bëjnë aheng mbi tapetin e blertë të Air Albania, festë me shoqërinë me drita ndezur, ku është FSHF?

Disa fotografi të shpërndara në rrjetet sociale nga Jerina Lalaj, e njohur si konsulente marketingu tregojnë ministret Ogerta Manastirliu dhe Elva Margariti duke festuar mbi tapetin e blertë të stadiumit “Air Albania”. “Gëzuar Festat! Vitet kalojnë dhe vetëm zbukurohemi???? Mungojnë shumë yje, por festa tjetër është loading… “,-shkruan Lalaj, me një mesazh që vjen edhe si kujtesë për ish-ministrin që ndodhet në burg, Saimir Tahiri, i cili gjithashtu, ka qenë pjesë e grupit të “Sami Frashërit”. Por rrethi është ngushtuar dhe përfaqësueset e denja nga qeveria për momentin ngelen Manastirliu dhe Margariti. Në fotografi dallojmë edhe këngëtaren Julka Gramo apo deputeten Jorida Tabaku.

Ato njihen si mikesha edhe jashtë politikës me një të shkuar që i lidh që nga koha e gjimnazit. Prej vitesh festojnë bashkarisht me grupin e klasës së gjimnazit ku kanë studiuar duke u bërë një nga “grupimet e yjeve” që ruan miqësinë përgjatë gjithë jetës. Kjo nuk do të përbënte asnjë problem, nëse ambienti i zgjedhur për festën nuk do të ishte “Air Albania”.

Investimi me vlerë plot 75 milionë euro ka qenë në dispozicion të plotë një natë më parë për ministret e qeverisë, që së bashku me shoqërinë e ngushtë kanë zhvilluar një fotoalbum… Ku do të mendoni ju? Mbi barin e fushës së stadiumit.

Edhe pse tapeti është i ndaluar rreptësisht që të preket për shkak të ndjeshmërisë dhe kushteve të ruajtjes së veçantë, kjo nuk i ka penguar. Ashtu me taka, buzagaz kanë shkuar në fushë dhe kanë shkrepur fotot. Në mënyrë të habitshme, edhe Federata Shqiptare e Futbollit që në prill të këtij viti bleu makineri të posaçme për të mirëmbajtur barin e fushës së “Air Albania” ka lejuar futjen në fushë të një grupi njerëzish me influencë politike dhe mediatike me arsyen e vetme se …kanë një festë gjimnazi.

Do të donim të ishim gabim kur menduam se ministret e kabinetit,Tabaku&Co kanë hyrë në stadium sa për dy foto…por një tjetër detaj nuk të lë të gabosh… Edhe pse kryeministri bën moral nga jugu në veri sesi duhet kursyer energjia, ku në më të shumtën e institucioneve publike ka reduktime të ngrohjes në zyra, apo ku në akset kryesore të vendit lëvizja është bërë më e vështirë për shkak të kufizimit në energji, njësoj nuk shohim të ketë ndodhur në fushën e “Samistave”. Pa asnjë motivacion të rëndësisë kombëtare, dritat e stadiumit janë ndezur për të krijuar atmosferën perfekte për fotosesionin e grupit.

Një stadium publik, në pronësi të shtetit shqiptar merret në përdorim nga njerëz të caktuar në kushte të shkeljes së ligjit dhe kushteve teknike. Kështu ndodhi edhe me kryebashkiakun Erion Veliaj dhe dasmën në kalanë e Gjirokastrës. çfarë i frymëzon këta njerëz? Ku e gjejnë këtë kurajo? A mos ka nisur gjë stadiumi të jepet me qira dhe ende ne jemi të fundit që nuk e kemi marrë vesh? /Dosja.al

 

 

Share This Article
Leave a comment

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *