Kryeministrja e Serbisë, Ana Bërnabiç tha se serbët në veri të Kosovës kanë ngritur barrikadat me kërkesën për të drejtat e tyre themelore njerëzore. Ajo tha se “frikësohet nga përshkallëzimi i mëtejmë i situatës”, por nënvizoi se “Serbia do të bëjë çdo gjë të mundur për të ruajtur paqen dhe një lloj stabiliteti”.
Deklarimet e Bërnabiç pasuan një protestë në territorin serb në afërsi të vendkalimit kufitar në Jarinje, të organizuar nga grupi famëkeq paramilitar rus Wagner. Dhjetëra protestues kënduan këngë anti-Kosovë dhe dogjën një pankartë me shkrimin “Marrëveshja e Brukselit”. Ata gjatë ditës u përleshën me policinë serbe në përpjekje për të hyrë në territorin e Kosovës.
Forcat paqeruajtëse të NATO-s në Kosovë, ngritën telat gjëmborë në afëri të kufirt në Jarinje, në pjesën e territorit të Kosovës në përpjekje për të parandaluar çdo eskalim të dhunës.
Kryeministrja serbe Bërnabiç tha se BE dhe SHBA-ja po i dëgjojnë serbët e Kosovës “vetëm kur ata janë në barrikada” por edhe “atëherë jo siç duhet”. Sipas saj serbët e Kosovës i lëshuan institucionet pasi kanë kërkuar për më shumë se “dhjetë vjet respektimin e Marrëveshjes së Brukselit”.
“Në fund të fundit serbët e Kosovës janë në ato institucione duke iu falenderuar asaj Marrëveshjeje të Brukselit, dhe kur Albin Kurti thotë se për të nuk ekzisotn marrëveshja e Brukselit atëherë nuk e di saktësisht se ku qëndron problemi pse serbët nuk janë në institutione”, tha Bërnabiç.
“Presim nga bashkësia ndërkombëtare, fillimisht nga Brukseli por edhe Washingtoni që të bëjnë presion mbi Prishtinën që në një afat sa më të shkurtër të nisin zbatimin e marrëveshjes së Brukselit që nënkupton themelimin e Asociacionit të Komunave me Shumicë Serbe. Kemi marr të gjitha garancitë edhe nga përfaqësuesi i SHBA-së Escobar, se do ta bëjnë në një afat të shkurtër”, tha Bërnabiç.
a.m/dita