Guvernatori i rajonit të Kievit në Ukrainë, Oleksiy Kuleba, ka thënë se dëme “mjaft serioze” janë shkaktuar nga sulmi i fundit me dron të Rusisë. Ai u shpreh se disa objekte infrastrukturore u dëmtuan, si dhe shtëpi private dhe të paktën dy persona u plagosën. Alarmet për sulm ajror janë dëgjuar gjatë paradites së sotme në pjesën më të madhe të Ukainës.
Më herët, autoritetet ukrainase thanë se infrastruktura kritike ishte goditur dhe sistemi i mbrojtjes ajrore kishte shkatërruar rreth 15 dronë të drejtuar drejt kryeqytetit.
Agjencia bërthamore e Ukrainës ka raportuar se një dron kamikaz rus fluturoi mbi një pjesë të termocentralit bërthamor të Ukrainës Jugore pak pas mesnatës të së hënës. Sipas tyre kjo është një shkelje absolutisht e papranueshme e sigurisë bërthamore dhe rrezatimit.
Ditën e djeshme sulmet raketore, por edhe ato të dronëve iranianë kanë goditur një qytet në qendër të vendit dhe kryeqytetin Kiev. Objektivi kryesor i rusëve mbetet infrastruktura kritike e vendit, veçanërisht ajo elektrike.