Një studim i publikuar në revistën shkencore “JAMA Neurology” arriti në përfundimin se njerëzit që konsumojnë më shumë ushqime të gatshme apo të ngrira, preken 28% më shumë nga humbja e aftësive konjitive, krahasuar me njerëzit që i konsumojnë shumë rrallë këto ushqime. Në këtë studim u përfshinë rreth 10 mijë gra dhe burra në Brazil. Sipas ekspertëve vendet të cilat mund të ndikohen më shumë nga kjo gjetje janë Shtetet e Bashkuara dhe Britania e Madhe, ku njerëzit konsumojnë më shumë se 50% ushqime të përpunuara në ditë.
“Ky studim thjesht provon se ka një lidhje mes konsumit të ushqimeve fast food dhe humbjes së aftësive konjitive, megjithatë ka ende vend për hulumtime” – thotë Duane Mellor, dietolog në universitetin Aston në Mbretërinë e Bashkuar, i cili nuk ka marrë pjesë në këtë studim. Sipas tij problemi qëndron në faktin se këto janë të dhëna vëzhguese, pra nuk ka prova shkakësore. Por Mellor thekson se studiuesit dinë mjaftueshëm për ndikimin negativ që kanë ushqimet fast food dhe ato të konservuara në shëndetin e njerëzve.
Ekspertët thonë se ky studim ka dështuar në gjetjen e faktorëve të tjerë që kontribuojnë në humbjen e aftësive konjitive. Shëndeti konjitiv është çështje shumë e ndërlikuar dhe humbja e aftësive mund të shkaktohet si pasojë e shumë faktorëve të tjerë veç ushqimit, siç është mungesa e aktivitetit fizik, pirja e duhanit, alkooli, si dhe sëmundjet kardiovaskulare dhe metabolike. Prandaj një studim tjetër gjithëpërfshirës do të na tregonte një panoramë me të qartë të problemit.
Ushqimet e pashëndetshme po shkaktojnë probleme shëndetësore madhore në mbarë botën. Pavarësisht kundërshtive rreth studimit të fundit, ekspertët mjekësorë dhe nutricionistët si Mellor, dakordësohen se dieta dhe ushqyerja janë dy nga faktorët madhorë të rrezikut për shëndetin e njerëzve në mbarë botën.